Berisha: 2/3 e potencialit hidrik
janë ende të pashfytëzuara

Berisha: 2/3 e potencialit hidrik <br />janë ende të pashfytëzuara
TIRANE - Shqipëria ka potenciale të mëdha ujore dhe në sektorin energjetik mbeten ende të pashfrytëzuara 2/3 e potencialit hidrik shqiptar. Kështu u shpreh Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në “Konferencën vjetore të 12-të të Sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizime”.

“2/3 e potencialit hidrik janë ende të pashfytëzuara. Qeveria me nismën “Shqipëria superfuqi e energjisë në rajon”, ka firmosur një seri kontratash koncensionare me sektorin privat, që deri më sot të ndërtohen 333 HEC-e, nga këto 70 kanë përfunduar së ndërtuari dhe rindërtuari. Vitin që vjen nis investimi prej 1 miliardë euro, siç është kaskada e Devollit dhe së shpejti do dalë për rindërtim kaskada e Vjosës. Kaskada të shumta po ndërtohen në mbarë vendin dhe Shqipëria do 4-fishojë prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e saj ujore”, tha Kryeministri.

Më tej Berisha u shpreh se Shqipëria ka një vizion të qartë për ujin, si pasuria më e madhe e vendit dhe qytetarëve shqiptarë, nga ana tjetër e drejta themelore dhe sublime për ekzistencen e njeriut.

Duke e konsideruar si prioritet të tij dhe qeverisë që drejton, Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve janë bërë investime të mëdha të mbështetura edhe nga partnerët e huaj për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm si dhe për sistemin e kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të zeza. Kryeministri theksoi se kjo qeveri do të bëjë çdo gjë, në mënyrë që ujërat e Shqipërisë të jenë më të pastrat e Ballkanit dhe më gjerë.

“Uji është pasuri e paçmuar për shqiptarët, bazë e paçmuar për jetën. Pas 100 vitesh ne mund të themi se sot ekziston një vizion i qartë për ujin, rëndësinë, perspektivën e përdorimit dhe shfrytëzimit të tij. Përballja me ujin është shumë planëshe, sigurimi i furnizimit me ujë me kushte dhe cilësi të larta përbën një të drejtë themelore, një detyrë madhore të qeverisë së vendit. Nga jugu në veri janë bërë investime të mëdha. Furnizimi është vetëm një aspekt, aspekt tjetër janë kanalizimet dhe trajtimi i ujërave të zeza. Nëse impiantin e parë e inauguruam në 2005 sot kemi një situatë krejt tjetër. Investime të mëdha janë bërë dhe po bëhen që ujërat e Shqipërisë të jenë më të pastrat e Ballkanit dhe më gjerë”, deklaroi Berisha.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mundësi të shkëlqyera për sukses në çdo fushë... horoskopi për sot

Mundësi të shkëlqyera për sukses në çdo fushë... horoskopi për sot