TIRANE- Partia Demokratike festoi sot në sheshin “Nënë Tereza” 21 vjetorin e fitores së saj në zgjedhjet e 22 marsit 1992, që u kurorëzua me ardhjen në pushtet të kësaj force politike dhe rrëzimin e regjimit komunist. Nga podiumi ku zhvillohej koncerti kryeministri Berisha tha se kjo është fitorja e të rinjve dhe u shpreh i sigurtë për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e kësaj fitoreje dhe te shembin murin e bllokimit.

“Sot jemi për të festuar së bashku 22 Marsin ditën e parë të demokracisë, ditën në të cilën të rejat e të rinjtë, burrat e gratë firmosën për ndryshimin më të madh në historinë tonë kombëtare, u shkëputën nga diktatura e egër e sistemi i antivlerave. Më 22 Mars të vitit 92 qytetarët votuan për sistemin e bazuar tek vlerat e lirisë. “- tha Berisha.

Kryeministri u shpreh i sigurtë në fitoren e zgjedhjeve . “Ne jemi ndryshimi sepse bëmë të vërtetë ëndrrën europiane, atë të 22 marsit dhe anëtarësimin e Shqipërinë në NATO. Ne jemi ndryshimi sepse me reformat e thella dhe të gjithanshme bëmë që shqiptarët të lëvizin të lirë pa viza në mbarë Europë. “


Përmes një postimi në FB kryeministri Berisha shkruante sot në mëngjes se kjo ditë na frymëzon për një fitore të shkëlqyer më 23 Qershor.

"Më 22 mars te vitit 1992 erdhi në pushtet Partia Demokratike, forca politike që solli rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e pluralizmit në vend.
21 vjet më parë, populli shqiptar me fuqinë e votës së lirë shënoi fitoren e pluralizmit demokratik dhe rrëzimin e sistemit komunist, që për 45 vjet me radhë vendosi në Shqipëri monizmin më ekstrem dhe totalitarizmin më total që Evropa ka njohur në tërë historinë e saj.

Në 22 mars 1992, Partia Demokratike, forca e parë opozitare në vend fitoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ndaj kjo datë shënon fundin e shtetit komunist. Më parë në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Partia Demokratike edhe pse nuk arriti të fitojë shumicën e votave në Kuvend, u paraqit si një forcë kërcënuese për sistemin e vjetër. 

(sg/shqiptarja.com)