TIRANË – Pavarësisht qëndrimit të shprehur kohët e fundit nga ndërkombëtarët, Kryeministri Berisha ka përsëritur me forcë sot, iniciativën e PD-së për mbajtjen e referendumit të 3 ligjeve të integrimit. “T’i votojmë 3 ligjet”, - tha ai, - “për të marrë statusin kandidat, të futemi në rrugën e integrimit”.

Deklaratën e tij, Kryeministri e bëri në fjalën përshëndetëse  që mbajti për arsimtarët me rastin e 7 Marsit, gjatë një takimi në Pallatin e Kongreseve.

Kryeministri tha ndër të tjera se “Sot ne kremtojmë një ditë që është një festë gëzimi për zemrat tona dhe të fëmijëve tanë, dita e mësuesit, i cili është në krye të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të shqiptarëve në tërësi për ndryshim dhe ndryshim gjithnjë e më të madh. Historia e zhvillimit ka faktuar se fuqia e një shoqërie përcaktohet nga aftësia e tyre për të ndryshuar. nëse hedhim një vështrim rrugës që bëmë në 20 vite liri, do të gjejmë që jemi një nga kombet që kemi ndryshuar më shumë në 20 vjet në tërë historinë e Europës e më gjërë".

"Ne kemi ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër", -theksoi Berisha, -"sepse nga vendi më i varfër me 204 dollarë për frymë në vit, arritëm në 9 mijë dollarë të ardhura mesatare mesatare për frymë në vit.I rritëm rrogat e mësuesve, jo dyfish, por deri në 140%. Ne kemi ndërtuar 1302 shkolla dhe jemi të vendosur të ndërtojmë e rindërtojmë cdo shkollë në katër anët e këtij vendit".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)