VATIKAN - "Nuk mund të mos theksoj një koincidencë fatlume në karrierën time politike: që nga viti ’92 e gjer më sot, para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë" - kështu ka deklaruar sot, Kryeministri Berisha, pas ceremonisë së kurorëzimit të papa Françeskut I, të cilën ai e ndoqi nga Vatikani.

Sipas Berishës, "kjo është një ditë historike për Romën dhe botën. Papa Francesko I dha meshën e tij madhështore, e ndjekur mbi 1 milionë besimtarë të ardhur nga mbarë bota dhe shumë prej tyre nga Shqipëria, në prani të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 130 vendeve. Ishte vërtet një ceremoni shumë madhështore e mbresëlënëse. Papa Francesko I ka zgjedhur të jetë papa i dhembshurisë njerëzore, i përkujdesjes për ata që janë në nevojë e të varfër. Pata rastin të shtrëngoj dorën shumë miqësisht dhe t’i uroj sukseset më të mëdha në misionin e tij hyjnor në udhëheqje të Kishës Katolike botërore, por edhe ta ftoj të vijë në Shqipëri si një mik i madh e i shquar i popullit shqiptar.

Para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë nga Papa Gjon Pali II tek Papa Francesko I, ç'ka është në mënyrë të pamohueshme një bekim hyjnor për fitoren e ardhshme, për të mos thënë që edhe qielli vegoi. Por të ecim të sigurt drejt 23 qershorit, drejt fitores së bekuar nga Ati i Shenjtë", - përfundoi kryeministri.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)