Madje ai ka akuzuar Ramën se për shkak të kërcënimeve ndaj opozitës dhe institucioneve të shtetit shqiptar Brukseli vuri kushte për integrimin por dhe ka shfaqur mosbesim ndaj kryeministrit të ri shqiptar. “Të dashur miq, nga Brukseli kushte dhe mosbesim për Edvinin, mjerisht dhe për integrimin.... Kështu pas kërcënimeve dhe revanshit të Ramës ndaj Presidentit, opozitës, institucioneve kushtetuese, administratës, Parlamentit, vendimit të tij antikushtetues për të hequr foton e Presidentit të Republikes nga zyrat e shtetit, Presidenti Van Rompuy dhe Presidenti Barroso u shprehën se percaktuese për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë do jenë qëndrimet e qeverisë ndaj: 1-opozitës, 2-të drejtave të njeriut, 3-administratës publike, 4-parlamentit, 5-luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se "javët e ardhshme do të jenë kritike, vendet anëtare po vëzhgojnë me kujdes", deklaroi ish-kreu i qeverisë Berisha në prifilin e tij në rrjetin social facebook.
Ai i është referuar dhe deklaratës së Presidentit të PE, Schulz teksa tha se statusi mund të jepet në pranverë jo në dhjetor të këtij viti. “Kryetari i Parlamentit Schulz tha se statusi mund të merret para zgjedhjeve europiane, dmth nga pranvera.
Kurse në Komisionin e Jashtem Jelko Kacin pyeti z.Rama se si do ta luftojë ai korrupsionin në PS. Me fjalë të tjera PS parti e korruptuar”, tha Berisha. Ish-kreu i qeverisë nënvizoi se Rama e integrimi nuk pajtohen. “Udhëheqja e Brukselit ka ndjenja miqësore për Shqipërinë por e dinë se Rama është politikani i vetëm në Europë që 8 vite me rradhë bëri gjithçka për të penguar integrimin e vendit të tij në BE. Rama dhe integrimi nuk pajtohen”, nënvizoi Berisha.
BREGU:
Reagim të fortë ka bërë dhe ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ndaj vizitës së Ramës në Bruksel. “Dialog me opozitën ose bashkëpunim ndërpartiak, progres në zbatimin e ligjit të nëpunësit civil(ky ishte një nga 3 ligjet e mbajtura peng me mosvotim nga Rama), respekt i të drejtave të njeriut, rezultate në zbatimin e reformave për qyetetaret përfshi luftën kundër krimit e korrupsionit. Mesazhe të qarta në Bruksel për kryeministrin e ri, përfshi pyetjen retorike: "si do ta luftoni korrupsionin brenda PS?", deklaroi Bregu. Ajo ka kërkuar të dije nëse e ka kuptuar Rama këtë mesazh. “E ka kuptuar se bojkotin e tij për procesin e integrimit se ka harruar asnjë? As në Bruksel? E ka kuptuar se cilat janë kushtet e reja për marrjen e statusit të vendit kandidat e më tej? Shpresoj ta ketë besuar tani, atë çka i thashë në Parlament, se do ketë kushte të reja lidhur me krimin e korrupsionin brenda Partisë së tij...”, thotë Bregu.
Akuza
“Udhëheqja e Brukselit ka ndjenja miqësore për Shqipërinë por e dinë se Rama është politikani i vetëm në Europë që 8 vite me rradhë bëri gjithçka për të penguar integrimin e vendit të tij në BE. Rama dhe integrimi nuk pajtohen”.
Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)