Berisha ‘çan’ PD dhe ‘Rithemelimin’, zgjedh Topallin e ‘flak’ Kokalarin e Hajdarin

Berisha ‘çan’ PD dhe ‘Rithemelimin’, zgjedh Topallin e ‘flak’ Kokalarin e Hajdarin

Me zgjedhjet e fundit për kryesinë e re të “Rithemelimit”, apo siç pëlqen ta quajë “forumi i lartë drejtues i PD”, Sali Berisha është rikthyer në “habitatin” e vet. Ai ka bërë gjënë që di më mirë të bëjë, përjashtimin e kundërshtarëve të tij në parti.

Vetë rezultati i votimit të Këshillit Kombëtar për të 47 anëtarët e kryesisë së re të këtij grupimi politik e tregon më së mirë një fakt të tillë. Në krye të listës së të votuarve kanë dalë emra të panjohur, që nuk po i përmendim me emra, por siç i perifrazon një detajist si Kreshnik Spahiu, askush nuk i njeh në jetën publike apo politike.

Por që në krye të herës, Berisha ishte kujdesur për të “krehur” listën e kandidatëve për anëtarë të kryesisë së PD të të gjithë emrave që ai i cilëson si kundërshtarë të tij brenda PD, apo siç rëndom deklarohet nëpër media apo dalje publike të rastësishme se janë “pengje të Edi Ramës”.

Ndonëse në fillimin e lëvizjes së tij përmes “Foltoreve” për largimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD dhe marrjen e lidershipit të kësaj partie, i tërbuar se pas shpalljes “non grata” familjarisht nga SHBA lideri i dorëhequr Basha e kishte përjashtuar dhe nga grupi parlamentar demokrat, kishte deklaruar se përmes votës do të realizonte bashkimin e të gjithë demokratëve, Sali Berisha që në krye të herës që iu dha mundësia aplikoi përjashtimet. Siç ka bërë gjithmonë në këto 31 vite!

Ndonëse askush me gjykim normal nuk e ka menduar se Sali Berisha do të përfshinte në listën e kandidatëve për anëtarë të kryesisë së PD ish kryetarin Basha, kreun aktual të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, apo sekretarin e Përgjithshëm të PD deri në vendimin e Apelit për ankimimin e kryetarit në detyrë Alibeaj për kuvendin e 11 dhjetorit të PD, Gazment Bardhin, ish kryeministri Berisha nuk zhgënjeu askënd.

Madje u mbushi mendjen dhe optimistëve të përjetshëm në PD që reklamonin se ai kishte ndryshuar, duke mos përfshirë në listën e kandidatëve për anëtarë kryesie asnjë prej atyre që kishin përkrahur  Bashën në kuvendin e 18 dhjetorit apo në “rezistencën” e blinduar në selinë e PD me 8 janar. I fshiu nga lista që në “embrion” të gjithë këta emra, duke realizuar dhe fazën e parë të spastrimeve të kundërshtarëve politikë brenda PD.

Faza e dytë kishte të bënte me mospërfshirjen e të gjithë atyre që gjatë rrugës e kishin “dredhur”, duke tradhëtuar Bashën, me shpresën se do të preknin “telat” e zemrës së Berishës, në mënyrë që të ishin sërish në forumet dhe strukturat drejtuese të kësaj partie.

Me përjashtim të Ina Zhupës, ish zëdhënëses së Bashës, e cila ishte treguar e ashpër në fillim me “Foltoren”, dhe më pas e “drodhi”, të cilën jo vetëm e futi në listën e kandidatëve por e shpalli dhe fituese në listën e grave për anëtare të kryesisë së PD, Berisha nuk përfshiu fare në listën e kandidatëve as Grida Dumën, as Ervin Salianjin dhe as emra të tjerë më pak të dëgjuar publikisht si zëra që e kishin ndryshuar linjën politike në harkun e disa muajve, duke kapërcyer nga grupi i Bashës tek ai i “Rithemelimit”.

Pra Berisha i la jashtë listës se kandidatëve për anëtarë kryesie, duke mos u dhënë shansin për të marrë votën ose jo të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Ai veproi me dorë të hekurt, duke mos u dhënë asnjë mundësi dhe të të “penduarve” për të qënë pjesë e forumit më të lartë drejtues të PD.

Kryesisht Berisha iu drejtua “gardës së vjetër” të PD, pikërisht atyre me të cilët kishte dalë i humbur nga ballafaqimi elektoral i verës së vitit 2013 përballë Edi Ramës, kur doli në opozitë pas 8 viteve qeverisje dhe dha dorëheqjen nga kreu i partisë.

Lamë për në fund përfaqësues të dy grupimeve në PD, atyre që e kishin mbështetur pa rezerva, madje duke u përfshirë në debate me tërë botën, siç ishte rasti i veprimtares shqiptaro-amerikane, e involvuar dhe në grupimin pro Trump në SHBA, Evis Kokalari e cila cilësohej jo pa ironi në media si “ambasadore” e Berishës pranë Trump dhe e dërguara “speciale” e këtij të fundit tek “Rithemelimi”, si dhe Rudina Hajdarit vajzës së ish liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari.

Kokalari ishte një ndër mbështetëset më të forta të Berishës dhe “Foltoreve” të tij, duke u shfaqur në të gjitha takimet, dhe për më tepër duke goditur këdo që ngrinte zërin kundër Doktorit. Madje shfaqej dhe paraqitej dhe me statusin e të dërguares së republikanëve të Donald Trump për të mbështetur Berishën, duke u zotuar se do t’i shkojë deri në fund “hetimit” të çështjes së shpalljes me të padrejtë sipas saj nga DASH “non grata” familjarisht. Madje arriti deri atje sa dhe gotën me të cilën pinte çaj që mbante me vete kudo nga shkonte, e kishte me foton e Sali Berishës.

Por për habinë e të gjithëve, Evi Kokalari nuk figuronte në listën e kandidatëve për anëtarë kryesie të publikuar nga Berisha, dhe për pasojë as u përfill për t’u votuar në këtë listë. Dikush mund të mendojë se Berisha mund ta emërojë sekretare për marrëdhëniet ndërkombëtare në PD, është eksluzivitet i tij si kryetar dhe jo i forumeve të PD sipas statutit për ta bërë një emërim të tillë, por qëndrimi më i fundit publik i një dite më parë i Kokalarit, tregon se bashkëpunimi është krisur. Ka një hatërmbetje për lënien jashtë listës së kandidatëve për kryesinë e re me sa duket.

“Urime kryesisë së re të PD. Besoj se shumë janë dakort me mua kur them se puna ime në Shqipëri mbaron këtu dhe si e tillë, do ti kthehem jetës time të përditshme në Amerikë, bisnesit, politikës dhe miqve.

Gjithsesi një gjë nuk ndryshon; fakti që vetëm një PD vërtet konservatore do ta nxjerr Shqipërinë nga moçali i korrupsionit. Një PD e qëndrës apo e qëndrës së djathtë, do të jetë thjeshtë një vazhdimësi e asaj që kemi njohur dekatën e fundit, dhe do ngelet një parti e pazareve.

Në kundërshtim, një PD e parimeve konservatore do të fokusohet tek populli dhe Shqipëria, dhe jo tek xhepat e saja. Duke shpresuar për më të mirën, suksese të mëtejshme dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve”, shkruan Kokalari në mesazhin e saj të “divorcit” me Berishën dhe “Rithemelimin”.

Pra e cilëson parti të pazareve edhe partinë e “re”  të “rithemeluar” të Berishës, duke shprehur tërë pezmin e vet kundër mënyrës se si u konturua dhe konkludua për kryesinë e re të PD.

Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se Kokalari kishte përplasje të fortë me ish nënkryetaren e PD njëherësh dhe politikanen më konsistente kundër Lulzim Bashës në PD, Jozefina Topalli. Inatin mes tyre nuk ngurronin ta shprehnin sa herë u jepej mundësia dhe në publik, ku Topalli nuk preferonte të fliste për Kokalarin, ndërsa kjo e fundit e ironizonte duke i ‘promovuar’ dëshirën për të qënë Presidente e vendit. Një goditje indirekte se ka mbështetjen e Ramës e për t’i ardhur dhe për osh Berishës  i cili kur godiste kundërshtarëve të tij në parti, i përfshinte në grupimin e “pengjeve të Ramës”.

Me sa duket Berisha zgjodhi mes Kokalarit që e tregonte hapur faktin se “vdiste” për Doktorin dhe ish-bashkëpunëtores së  tij të vjetër në PD Topalli, pikërisht këtë të fundit, për ta pasur në forumin më të lartë, e pse jo dhe nënkryetare të PD. Sikurse ka qënë që nga vitet 1996-1997.

Më e komplikuar bëhet situata në raport me Rudina Hajdarin. E cila ka qënë gjithnjë kundër Lulzim Bashës, nuk “dogji” mandatin e deputetit më 2019, mbështeti lëvizjen e Berishës për rrëzimin e Bashës, por pa Berishën në krye të PD, e që deklaroi së fundmi rikthimin në këtë parti duke marrë pjesë në zgjedhjet e organizuara për zgjedhjen e kryetarit të ri më 22 maj të këtij viti.

Por Berisha nuk e përfshiu Rudina Hajdarin as në listën e kandidatëve për anëtarë kryesie, jo më ta zgjidhte anëtare me të drejta të plota. Ndajmë të njejtin mendim se të gjithë anëtarët e kryesisë së PD janë zgjedhur me pëlqimin dhe involvimin direkt të Berishës. E themi këtë sepse një pjesë e këtyre anëtarëve të zgjedhur, nuk njihen jo vetëm nga publiku por as nga vetë PD.

Njëherësh ndajmë të njejtin qëndrim se Berisha nuk e ka dashur kurrë as Azem Hajdarin, të cilin që nga viti 1992 më shumë e la jashtë strukturave dhe forumeve të PD si të përjashtuar se sa brenda tyre. Madje pa e bërë asnjëherë ministër në qeverisjen e PD deri sa u nda nga jeta pas atij atentati në oborrin e selisë së PD. Thonë që iku nga kjo botë me të vetmin peng se nuk u bë asnjëherë ministër nga Berisha, pavarësisht se luftoi shumë për një post qeveritar.

E përjashtoi Hajdarin për një shpullë që i dha një punonjësi të selisë së PD, për një acarim kundër Berishës duke përkrahur ish të përndjekurit politikë në grevën e tyre, dhe e afroi vetëm nga fundi i jetës, për ta përdorur më shumë pas vdekjes, përmes grushtit të dështuar të shtetit më 14 shtator 1998 dhe më pas sa herë që ka përvjetorim, duke bërë “roje nderi” tek obelisku i vënë në vendin ku u bë vrasja e shekullit.

Se çfarë dinte Azem Hajdari për Berishën, mbetet të hamendësojmë, Azemi e mori të vërtetën e tij në varr, ndërsa Berisha nuk e tregon kurrë. E vërteta e kulluar është se inati i Berishës vijoi dhe me vajzën e Azem Hajdarit, Rudinën, të cilën nuk e afroi kurrë në lidershipin e PD. Madje as tashmë së fundmi, kur deklaroi si moto të lëvizjes së tij kishte bashkimin e të gjithë aseteve të PD të lëna jashtë lidershipit të kësaj partie nga Lulzim Basha, apo “pengu i Ramës” siç e quan ai.

Ka dhe të tjerë që mbështeten “Foltoret”, por i la jashtë kryesisë së PD. Po kështu u “votua”.

Nuk po hyjmë në analiza të tjera, pasi janë të mjafta për të treguar se Berisha nuk e bashkoi as PD-në e mbetur, duke lënë jashtë jo vetëm kundërshtarët e deklaruar të tij brenda partisë, por dhe ata që e mbështetën fort, por dhe ata që kishin lëvizur nga Basha drejt “Rithemelimit”.

Pra përçau dhe “Rithemelimin” pas PD-së. Thjeshtë e vetëm zgjodhi kamikazët e tij në forumet më të larta të PD. Duke treguar qartë se Berishës i duhet një parti e vogël, e tkurrur dhe fiks për moshën e tij të pleqërisë, për ta menaxhuar sipas dëshirës për hallin e tij personal: Mbrojtjen nga SHBA pas shpalljes “non grata” e para drejtësisë për shkak të dosjeve të rënda që ka në ngarkim.

Sali Berisha nuk kërkon një PD aspirante për të ardhur në pushtet. Demokratët duhet ta ndajnë mendjen, sa të jetë Berisha në krye të PD, nëse Apeli vendos ose jo në favor të tij, kjo parti do të qëndrojë në opozitë. Dhe për më tepër d ndahet në dy parti. Basha nuk i bën për “hobi” takimet me demokratët mbështetës nëpër rrethe pasi po të ishte kështu ai si dembel funksional nuk e lëvizte këmbën jashtë Tiranës. Apo që Alibeaj nuk këmbëngul për të marrë vendime pa marrë në referencë asnjëherë Berishën, të cilin nuk e quan as anëtar të grupit parlamentar.  PD praktikisht është ndarë. Madje në tre pjesë. Varet nga anon pjesa e mesit, me Berishën apo kundër tij.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano

Qeveria rishpall tenderin 400 mln euro të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano