Berisha dhe Rruga e Arbrit

Berisha dhe Rruga e Arbrit
Dialogu i mëposhtëm është shkëputur nga mbledhja e grupit parlamentar të PD, të para dy-tre ditëve. Eshtë marrë nga mediat e shkruara, të cilat e citojnë fjalë për fjalë, me qëllimin e dëshpëruar për të dhënë lajmin e madh që “deputetët e PD flasin në mbledhjen e grupit”. Po e rishkruaj tekstualisht, siç vijon : Bedri Hoxha: është bërë e pakalueshme rruga e Peshkopisë. Unë si deputet kam prishur dy makina, imagjino qytetarët e thjeshtë ç’heqin.. Sali Berisha: Ne po bëjmë shumë rrugë... qytetarëve të asaj zone duhet t’i shpjegoni faktin se aty janë bërë një numër i madh investimesh Bedri Hoxha: Nëse do fillonim para zgjedhjeve punimet për tunelin e Murrizit do ishte gjë shumë e mirë.. Sali Berisha: Ai është ëndërr imja.. Por prioritet ka rruga e Elbasanit. E kishim llogaritur 70 milionë euro, tani ka shkuar më shumë se 250 milionë. Ju duhet ti sqaroni njerëzit për këtë situatë..) Nuk mjaftoi për të prodhuar ndonjë lajm. Ishte një dialog i shplarë që të kujton ata nxënësit e dobët që i kërkojnë përmirësim note mësuesit. Në fakt gazetat dhanë dy dia-logje, por nuk më interesojnë pazaret e Demit e kusuret e Saliut për kryetarin e PD së Sarandës. Po merrem vetëm me “fjalën” e Bedriut.

Z.Bedri Hoxha argumenton para Emëruesit të tij që rruga e Peshkopisë është aq e dëmtuar, saqë atij i janë prishur tashmë dy makina. Nuk është shumë e qartë, nëse po thotë që nuk do të shkojë më në Burrel, se nuk ka makinë, apo po kërkon të rikonstruktohet rruga e Peshkopisë. Për solidaritet lokal me zotërinë, po marr të mirëqenë faktin që po kërkon të rikonstruktohet rruga. Me siguri këtu duhet ta ketë patur fjalën. Gjithsesi, menjëherë shohim që Emëruesi i kërkon t’ju numërojë “banorëve të asaj zone se sa shumë investime janë bërë aty”, pra i kujton që është thjesht një Numërues.

Por, deputeti i qarkut të Dibrës insiston edhe njëherë, duke u përpjekur t’i mbushë mendjen Emëruesit të tij që edhe nëse nuk bëhet, e rëndësishme është që të fillojë përpara zgjedhjeve. Të më falë Bedriu dhe lexuesit gjithashtu, por për dreq, prapë më vjen të qesh. Më vjen të shkrihem së qeshuri, se skena më duket prapë si ajo e atij nxënësit të dobët që insiston para mësuesit për përgjigjen e gabuar, duke argumentuar që “nuk e ka libri, por ti z.mësues na ke shpjeguar kështu”.

Dhe ja ku vjen mbyllja. Emëruesi tregon për “ëndrrën e tij në sirtar”, tunelin e Murrizit. I dëshpëruar ai ankohet që numëruesit e milionave të rrugës së Elbasanit i kanë dalë gënjeshtarë. Kanë numëruar 70 milionë kur i morën e kur filluan ti shpenzojnë, iu dolën 250 milionë.
Të keqen e Nastradinit, atij i dilte vetëm një gomar mangut kur ia hypte gomarit të vet. Kushedi sa gomerë do kishte blerë Nastradini i shkretë me 180 milionë euro që ua ka hipur Saliu me numëruesit e vet. Përndryshe, do mjaftonin për tunelin e Murrizit dhe krejt rrugën Arbrit së bashku.
U mora në fillim me z.Bedri, pasi nga guximi për të folur para Emëruesit, kuptojmë që shpreson shumë që ky i fundit do ta riemërojë në 2013. Ndaj përpiqet të kërkojë autorizimin për të filluar sa më shpejt me strategjinë e “tunelit të Murrizit”. Pra, Bedriu e paska kuptuar që rruga për në parlament kalon nga tuneli i Murrizit. Ka vetëm një problem “të vogël”. Tuneli duhet të kishte mbaruar, se është premtuar që në 2009 e jo të fillojnë ca ekskavatorë të ngrenë pluhur pak ditë para zgjedhjeve. Nuk e hanë më këtë gënjeshtër matjanët.

Ashtu siç rruga e Sherefedin Shehut dhe Selami Xhepës për në parlament duhet të kalonte nga Rruga e Arbrit prej verës së këtij viti. Kështu premtuan në 2009 para dibranëve. Megjithatë, kur vijnë ndonjëherë në Dibër, zakonisht për të ngrënë ndonjë darkë që shtrojnë drejtorët lokalë, ata i bien nga Kukësi. Nuk ma merr mendja se kalojnë nga Kukësi për të përshëndetur Numëruesin e parë të qarkut të Dibrës, Jemin Gjanën. Me siguri kanë hallin e makinave të veta, ia dinë kimetin parasë, janë ekonomistë.

As Sherefedinin, as Selamiun nuk i kemi dëgjuar të thonë një çerek fjale për Rrugën e Arbrit. Ndoshta janë të sigurt që nuk i numëron kush më në parlamentin e 2013-ës e tani veç numërojnë ndonjë thërrime që kanë mbledhur nga ky i 2009-ës. Ndoshta dhe unë pretendoj si shumë për këta dy zotërinj që nuk guxuan as të shkojnë të pinë një kafe tek familja e bashkëfshatarit të tyre Hekuran Deda, të cilin ua vranë pushkët e qeverisë nga frëngjitë e errëta ku rri strukur Kryeministri i tyre.

Sa për ta mbyllur, dua t’ju kujtoj dibranëve që vetë Saliu, përndryshe Kryeministri i vendit, përndryshe Emëruesi i Bedriut, Sherefedinit, Selamiut dhe Jeminit me shokë, para tre ditësh u tregua i sinqertë me Dibrën. Është gati të numërojë gabim 180 milionë euro, përpara sesa të bëjë Rrugën e Arbrit. Paratë që ishin marrë kredi për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, më përpara numërohen gabim rrugës për Elbasan, sesa të përdoren për atë qëllim që u morën. Më parë e hedh, se ta jap ty, kaq, thotë Saliu. Rrofsh për sinqeritetin, Sali, por nuk ka nevojë. Dibranët e dinë tashmë që je gënjeshtar. Ka filluar të bjerë borë në Dibër dhe pleqtë, të mbledhur rreth vatrës me nipërit e mbesat, iu tregojnë përrallat e Nastradinit, por në vend të emrit Nastradin Hoxha përdorin emrin Sali Berisha.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Të hapur për takime të reja...çfarë thonë yjet për ju sot

Të hapur për takime të reja...çfarë thonë yjet për ju sot