Një votë e kundër e Jozefina Topallit dhe Sali Berishës për shkarkimin e Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme ngjalli pikëpyetje dhe mister në Kuvend. Në momentin e votëbesimit të ndryshimeve në qeveri, Sali Berisha dhe deputetët e opozitës kishin zaptuar foltoren, por në sistemin e Kuvendit u shfaq që kreu i PD dhe deputetja Topalli votuan kundër shkarkimit të Spiropalit.

Ky moment duket se ka përplasur mendimet e Berishës dhe deputetes së tij. Kjo e fundit reagoi e para për situatën e krijuar duke sqaruar se ky moment ka qenë një lapsus teknik dhe se në asnjë moment nuk përfaqëson vullnetin e saj politik. Vetë Topalli në reagimin për mediat thotë se në momentin e kaosit kur opozitës nuk po i jepej fjala, ka shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën, por ky moment ka rezultuar me votimin për shkarkimin e Spiropalit. Deputetja thotë se ajo ka shtypur edhe butonin për Sali Berishën, pasi ai në atë moment ishte në Foltore.

“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar”, thuhet në reagimin e Topallit.

Normalisht me këtë qëndrim të Topallit ‘misteri’ do të duhej të ishte sqaruar aty por Sali Berisha nuk heq dorë nga tradita dhe edhe këtë herë, armiqtë i gjeti në krahun tjetër, duke gënjyer haptazi dhe pa asnjë fakt. Berisha ia faturoi fajin kreut të Kuvendit Niko Peleshi.

Kur gazetarët e përballen me faktin se Topalli e kishte pranuar gabimin dhe ‘konspiracioni i madh i Peleshit” binte, Berisha bëri atë që bën gjithmonë, u justifikua. Kreu i PD tha se as Topalli nuk ka votuar, por në fakt vetë deputetja e PD pranoi se i shtypi 2 butonët në përpjekje për të marrë fjalën në sallë.

Berisha: Absolutisht nuk kam votuar fare, mashtrim i paskrupullt. Se çfarë ka bërë sistemi nuk di gjë, kam qenë në foltore.

Gazetarët: Ke mandatuar Topallin?

Berisha: Kategorisht jo, as ajo s’ka votuar. Ajo nuk e ka shtypur. S’ka qenë Topalli aty. Është mekanizëm i Peleshit që është një person...

Gazetarët: Topalli e ka pranuar këtë gabim.

Berisha: Unë kam qenë në platformë, s’kam votuar kurrë. Kam qenë duke kërkuaR fjalën. Ne vazhduam në foltore sepse ai nuk më lejonte fjalën. Sa i përket Spiropalit, unë ia dhashë përgjigjen.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 4 Mars, 21:56

    Mendoni se ndryshimet në Ekzekutiv do përmirësojnë qeverisjen e vendit?