Vjosa Osmani ka kërkuar që Presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani bën të ditur se ka paraqitur në Kuvend kërkesën për ndryshime kushtetuese, për zgjedhjen e drejtëpërdrejtë me votë nga populli të Presidentit të Kosovës.
Po ashtu Osmani ka bërë të ditur se amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtëpërdrejtë të Presidentit nga populli, ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
Teksa tha se kjo kërkesë vjen pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e Presidentit, Osmani ftoi të gjitha subjektet politike në Kosovë që të votojnë ndryshimet në Kuvend.
Ndërkohë më pas, përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeparlamentarja Haxhiu ka mbështetur propozimet e Osmanit dhe ka deklaruar se ka pranuar amendamentet e saj për zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Kujtojmë se zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës ka futur sërish në ngërç politikën në Kosovë, pasi opozita ende nuk ka dalë me një emër si kandidat për President, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka propozuar për postin e kreut të Shtetit Glauk Konjufcën.
Postimi i Vjosa Osmanit:
ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT!
Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese.
Tash e tutje, le të flasë populli!

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është shprehur se ka pranuar amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani, në mënyrë që Presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhet me votë drejtpërdrejtë nga populli.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu ka dalë në mbështetje të propozimit të Osmanit, duke thënë se zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga populli do të eliminonte ngërçet që pengojnë funksionimin e institucioneve dhe pamundësojnë stabilitetin e tyre.
Postimi i Haxhiut:
Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre.
I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve.
Komente











