TIRANË- Sali Berisha duket se është frymëzuar nga çadra e Lulzim Bashës 8 vite më parë, për të rikthyer para godinës së kryeministrisë demokratët. Motivi kryesor që Berisha prej ditësh po paralajmëronte me të madhe, se s’mund t’i dalë demokratëve para pa protestuar kundër Edi Ramës, si shefin pas tunelit të Llogarasë,  që çoi të pandehur në SPAK, zv/kryeministren Belinda Balluku, kalon në plan të dytë.

Këtë radhë, si përgjigje ndaj situatës së krijuar në parlament me opozitën pa të drejtë fjalë sipas tij, kreu i PD thotë se do të instalojë para zyrës së Edi Ramës një platformë nga ku deputetë e qytetarë do të mbajnë fjalimet e tyre.

“Opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit. Çka do të thotë shkelmim i kushtetutës, rregullores së parlamentit dhe rendit kushtetues të vendit. Do të thotë mohim i të drejtave të opozitës. Plas çdo skandal, jo më kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë. I sugjeroj grupit dhe opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet dhe denoncimet. Pas 9 seancash, opozita është lejuar vetëm një ditë të debatojë në Kuvend. Atëherë ne kalojmë ne debat me qytetarët”, tha Berisha.

Pas platformës, radha tha Berisha do të jetë e protestave kombëtare.

“Protestat kombëtare janë tejet të vonuara, do komunikojmë protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim ku ftoj të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë, kur një regjimi që e ka vjedhur atë. Ne do të hapim platformën parlamentare qytetare para ndërtesës së Kryeministrisë, si hap i parë”, tha Berisha.

Qëllimin, nuk e fsheh që është i njëjti me atë që dikur arriti Basha, qeveria teknike si oferta që e bindi të hyjë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2017, një moment që Sali Berisha dhe Ilir Meta në atë kohë, e quajtën “tradhtinë e 17 majit”

"Jam i bindur se ata do ecin të sigurt drejt realizimit të qëllimeve të tyre, një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Berisha. 

Në fund, një koment e dha edhe për zgjedhjet e së dielës në 5 bashki pa kandidatë zyrtarë të PD, por të pavarur që partia mbështet e do i numërojë votat. "Një regjim që nuk pranon votën e lirë, është një regjim që duhet të rrëzohet sa më parë.", tha Berisha. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:34
Zgjedhjet/ Berisha gati ‘alibinë’ e humbjes: Regjim që nuk pranon votën e lirë

 

Të dielën qytetarët në 5 bashki do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit. Ndonëse në këto zgjedhje PD nuk ka dalë me kandidatë zyrtarë, por mbështet kandidatët e pavarur, Berisha e ka edhe kësaj radhe alibinë, duke thënë se ky regjim nuk e pranon votën e lirë.

I pyetur nga gazetarët në selinë blu, nëse ka një koment për zgjedhjet e së dielës, Berisha dha këtë përgjigje të shkurtër.

“Një regjim që nuk pranon votën e lirë është regjim që do të rrëzohet sa më parë”, tha Berisha.

Ora 13:34
Barazia gjinore, Berisha: Do bëjmë gjithçka për anulimin e ligjit, e miratuan në Kuvend në pabesi

 

Kreu i PD, Sali Berisha vijon kritikat ndaj ligjit për barazinë gjinore që u miratua dje në Kuvend dhe që solli edhe sulmet e tij ndaj ambasadorit të BE, Silvio Gonzato. Berisha tha se PD do bëjë gjithçka për anulimin e këtij ligji, që sipas tij u miratua në pabesi nga PS, pasi mbyllën seancën.

“Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA, sanksionon dy gjini, mashkull, femër dhe përjashton njohjen e çdo gjini tjetër, në parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësi të shumëfishtë, me identitetin gjinor me diversitet të gjerë. Kjo kalon pa debat, në pabesi, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur po dje paradite që ligji të afrohet dhe debati të zhvillohet jo pas orës 1 të natës, por në një kohë kur qytetarët ta ndiqnin. Por, ku e kuptuan se nuk mund të mbronin para shqiptarëve ligjin që shkonfiguronte shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit, vendosën ta votojnë pa debat, morën pushim gjerisa i mblodhën deputetët që nuk i kishin dhe realizuan votimin. Në këto rrethana PD nuk pajtohet me këtë ligj, do ndërmarrë të gjithë hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë për anulimin e këtij ligji i cili përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar”, tha Berisha.