Jemi në kilometrin e fundit drejt fitores, u shpreh Berisha në protestën e thirrur dhe të trumbetuar me aq pompozitet, çka do të thotë që Edi Ramës i ka lënë afat edhe për një protestë tjetër, përpara se ta rrëzojnë.

Në fakt, ka që prej 2021 që u premton demokratëve që e rrëzon sot e rrëzon nesër, ndërkohë që ditët ia lënë radhën javëve, javët muajve, muajët viteve, vitet moteve dhe në fund përfundon duke e shndërruar protestën e opozitës në portokalli, në humor dhe në shfaqje ekspozite dhe, si për të mos mjaftuar të gjitha këto, e mbyll duke hedhur fishekzjarre nga ato të orës 12, të cilat u kallin datën njerëzve nga bezdia dhe gërricja e nervave.

Nuk ka se si të ndodhte ndryshe, në një kohë që i kanë gënjyer dhe mashtruar demokratët, koha është ‘shëruesi’ më i mirë, që i ekspozon cullak përpara fjalëve dhe premtimeve të tyre.

Sa të jetë Berisha në krye të opozitës dhe për sa kohë që gjithçka në axhendën e saj bëhet vetëm në funksion të halleve të tij personale, jo 1 kilometër, por Rama ka me mijëra kilometra kohë dhe jetë politike.

Nëse demokratët dhe strukturat drejtuese të kësaj partie nuk do ta kuptojnë këtë gjë, do të vijojnë marshimet dhe shfaqjet në bulevard si kjo e sotmja, ndërkohë që do të gënjejnë veten me shpresa gënjeshtare...hë se radhës tjetër është kilometri i fundit i hedhjes së fishekzjarreve që do të rrëzojnë EdiRamën.