Berisha do t’u tregojë liderëve të BE 'Gërdecin', '21 janarin' e financimin rus?!

Berisha do t’u tregojë liderëve të BE 'Gërdecin', '21 janarin' e financimin rus?!

Sali Berisha

Sali Berisha nuk është i qartë për vendin se ku do të bëjë protestën përballë liderëve të BE, të cilët do të marrin pjesë në samitin me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, më 6 dhjetor.

Herë herë i aktivizohen “sensorët” plotësisht dhe kthehet në gjendje normale teksa thotë se “jemi më të interesuar për sigurinë e lidershipit europian që vjen në Tiranë”, duke paralajmëruar një tërheqje të tij nga vendimi për të protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, vendndodhje kjo brenda “perimetrit” të sigurisë të vendosur nga policia.

Këtë ‘tërheqje’ e shoqëron dhe me argumentin se nuk ka rrugë të bllokuar për demokratët që të protestojnë, pasi “ne jemi kudo zotër të qytetit në zona të tjera, mjerë Rama e Çuçi, demokratët protestojnë në qytet në shesh, por e dinë mirë që burimi i të zezave është në Surrel” .

Duke ngatërruar me qëllim “fijen” se, mund të zhvillojë protestën dhe jashtë “perimetrit” të sigurisë, që ndoshta mund të nisë nga sheshi “Skënderbej” dhe të përfundojë deri te ish Hotel Dajti, sa për të thënë para militantëve se dhe e “thyen”, ndonëse përgjysmë, “perimetrin” e sigurisë, e duke lëshuar “sinjalet për evropianët kundër Ramës”, pikërisht nga buza e Lanës.

Ndërkohë që vetëm disa orë më vonë del e deklaron se protesta nuk “lëviz nga vendi përballë kryeministrisë”, dhe se janë më se të vendosur për t’u treguar liderëve të BE direkt nga bulevardi se Edi Rama po e keqqeveris Shqipërinë e shqiptarët, dhe për më tepër sipas tij për t’u treguar se në Shqipëri, nuk është ai që shfaqet në takimet në Bruksel dhe më tej.

Berisha ka një listë të gjatë të të gjitha akuzave ndaj kryeministri socialist Edi Rama, të cilat ka vendosur t’ua ‘thotë’ liderëve të BE që nga bulevardi përballë kryeministrisë, a thua jetojmë në kohën e fillimit të shekullit, kur lajmërimi për gjithçka bëhej nga mali në mal, pasi “vihej dora në vesh” dhe lëshohej piskama për hidhërim apo për gëzim. Ky ishte “telefoni” asokohe.

Jetojmë në kohën e internetit, në kohën e matricës, në kohën e komunikimit celular me zë dhe figurë e mjete të tjera të sofistikuara. Dhe për më tepër që BE ka një përfaqësi të zgjeruar në Shqipëri, pa llogaritur të gjitha OJF-të që janë dëndur me para gjatë 30 viteve me radhë, thjeshtë e vetëm për të thënë se çfarë ndodh në këtë vend.

Kuptohet me një dozë të lartë ‘nxirje’ për të gjitha qeverisjet, një element bazë ky për të thënë se ka nevojë për para të tjera që ky vend të “ftillohet” dhe që për këto OJF nuk ftillohet kurrë. Pasi nevoja për para nuk zhduket asnjëherë, aq më tepër kur u është “zgjeruar” rëndshëm “stomaku” për 30 vite me radhë, apo ka mbetur ndonjë garazh vile për fëmijën e fundit pa përfunduar ende, ai kërkon shumë e më shumë.

Por që të kalojmë tek argumenti ynë, ajo që duam të nënvizojmë në fund të herës është fakti se BE ka informacion tepër të detajuar për çfarë ndodh në Shqipëri, si në krahun e qeverisjes ashtu dhe në atë të opozitës. Informacion të detajuar themi, më shumë se dhe vetë qeveria e opozita.

Dhe ky informacion nuk merret vetëm nga qeveria shqiptare që ka detyrim të raportojë shumë herë në vit, jo vetëm për shkak të hapjes së bisedimeve me BE pas hapjes së negociatave, për anëtarësim në këtë Union, por dhe në rrugë të tjera.

Informacioni merret dhe nga delegacioni i BE që është instaluar në Shqipëri “non stop”, merret nga organizma të tjerë evropianë që fillojnë nga ata financiarë e deri tek shërbimet inteligjente partnere, merret dhe nga raportimet që bëjnë vetë politikanët shqiptarë që nuk u ndahen dyerve të ambasadave për të raportuar gjithçka dhe pak më tepër se duhet, sa herë që u preket ndonjë interes apo “tel” nga liderët e tyre politikë. Pra BE ka një “skaner” të plotë të gjithçkaje që ndodh në Shqipëri, dhe askush nuk duhet të dyshojë për këtë.

Ndoshta Berisha mendon se ka kaluar shumë kohë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nuk kanë ndonjë informacion se çfarë ka ndodhur bie fjala më 15 mars 2008 kur Gërdeci, një fshat i tërë në perferi të Tiranës u hodh në erë nga shpërthimi i biznesit të municioneve të djalit të tij Shkelzen. Një shpërthim që solli vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, mes tyre dhe fëmijë, si dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Pa llogaritur dëmet materiale kolosale në këtë zonë biznesi.

Me sa duket Berisha mendon se, meqë SPAK e institucionet e tjera ligjzbatuese e kanë mbyllur këtë çështje pa e thirrur asnjëherë ish kryeministrin e vendit dhe djalin e tij për të dëshmuar, thjeshtë dhe është mjaftuar vetëm me disa “peshq të vegjël” që i dënoi në mënyrë simbolike, atëherë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta kanë harruar këtë ngjarje të rëndë që mori jetë njerëzish dhe shënoi dhe fundin e drejtësisë në këtë vend.

Ndonëse nuk kanë harruar as SHBA dhe as BE këtë ngjarje të rëndë në Shqipëri që mori 26 jetë njerëzish, Berisha me sa duket ka vendosur për t’ua “kujtuar” vetë në protestën e tij të 6 dhjetorit, përballë kryeministrisë nëse arrin të thyejë “perimetrin” e sigurisë së policisë që garanton këtë samit në Tiranë. Dhe nëse turma e Berishës përplaset me policinë, s’ka nevojë për mesazhe nga bulevardi, ua kujton shumë shpejt, megjithëse e kanë në të gjitha shkresat përmbledhëse. Vijnë të përgatitur ata sa herë vijnë në Shqipëri, apo kudo që të shkojnë, janë të përgatitur deri në detaje dhe me një mal me informacione.

Ndoshta Berisha kërkon të protestojë në bulevard përballë kryeministrisë, pikërisht aty ku u vranë më 21 janar 2011, me urdhër të tij, 4 demonstrues të opozitës, me duar në xhepa ishin kur morën plumbin nga Garda e Republikës, për të treguar përballë liderëve të BE, “direkt nga Bulevardi” pse i vrau këta 4 njerëz të pafajshëm dhe pse deklaron se ishte gati që me snajperët e instaluar në tarracën e kryeministrisë dhe me Gardën, të vriste ish kreun e opozitës, kryeministrin aktual Edi Rama dhe 300 apo 3 mijë protestues nëse cënonin “gardhin e sigurisë” se godinës së qeverisë. Dhe për të treguar këto hollësi ka bindur dhe Metën që të protestojë në bulevard.

Pra Berisha thyen “perimetrin” e sigurisë së vendosur nga policia për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e liderëve të BE që marrin pjesë në samitin që zhvillojnë në Tiranë më 6 dhjetor, për të treguar para liderëve të BE plot 11 vite më vonë se pse vrau 4 demonstrues për 21 janar 2011 përballë kryeministrisë, si zhduku provat e kamerat e sigurisë dhe dëboi prokurorët që të marrin provat për të hetuar ngjarjen e rëndë.

Do t’u tregojë liderëve të BE se si mori nëpër këmbë institucionet më të larta të shtetit, duke filluar që me presidentin e asaj kohe të cilin e quajti “horr bulevardi”, ishte dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kreu i shtetit asokohe, apo Kryeprokuroren e vendit të cilën e quajti “lavire bulevardi”?!

Berisha s;ndryshon qëndrim dhe është i vendosur për të protestuar përballë kryeministrisë, duke thyer “perimetrin” e sigurisë në përballje me policinë, organet ligjzbatuese vendase dhe të huaja që janë bashkuar me qëllim të vetëm në Tiranë, për të garantuar sigurinë e zhvillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, për të treguar direkt nga bulevardi dhe për financimet ruse në favor të PD së komanduar prej tij, si një mbështetje financiare për të rrëzuar qeverinë legjitime shqiptare dhe destabilizuar vendin dhe rajonin.

Janë gjysmë milioni euro ao të shkreta para të hedhura nga Kremlini për PD-në dhe kjo nuk është as akuzë politike e as mediatike, është e fiksuar e zeza mbi të bardhë në raportin më të fundit të CIA-s amerikane. Pra Berisha kërkon të infirmojë direkt nga bulevardi BE-në dhe për këto para, dhe për të treguar se ka një “dozë” proteste ruse ky tubim, kundër Perëndimit.

Për hir të së vërtetës jo vetëm liderët e BE, por dhe SHBA e liderët e rajonit dinë gjithçka për Shqipërinë, për mazhorancën por dhe për opozitën. Dhe mbi të gjitha për zullumet e Berishës.

Sepse dinë gjithçka, deri në detajet më të thjeshta, SHBA e shpalli Berishën familjarisht person “non grata” për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Për këtë arsye dhe për arsye të tjera shtesë, Britania e Madhe e shpalli Berishën person “non grata”. Se dinë gjithçka dhe vendet anëtare të BE e konsiderojnë dhe trajtojnë Berishën si një “non grata”, duke e izoluar tërësisht dhe duke mos i dhënë as dorën.

Dhe Berisha e di se BE dhe SHBA e dinë të gjithë çfarë ka bërë, dinë gjithçka çfarë ndodh në Shqipëri. Por me sa duket po justifikon paratë ruse që ka marrë, por dhe po përpiqet me të gjitha mënyrat që të tregojë se ekziston vetëm ai në Shqipëri si kryetar opozitë, anipse këtë e tregon duke prezantuar veten si një politikan negativ. Fundja Berisha nuk aspiron për pushtet, do vetëm drejtimin e PD dhe me këtë rast i bën dhe një presion dhe Gjykatës së Apelit, që do të vendosë se kujt do t’i shkojë vula dhe logo e PD, Berishës apo Alibeajt

Me mendjen e Berishës, protesta dhe ndonjë përplasje e mundshme me policinë në tentativë për të thyer “perimetrin” e sigurisë është dhe një sinjal për Apelin që të vendosë në favor të tij, duke bërë presion për të treguar se “kur s’pyet për policinë dhe BE nuk pyet as për gjykatën”. Fundja me SPAK-un i ka ecur, pse të mos pretendojë se do t’i ecë dhe me Apelin.

Megjithëatë mbetet mister thirrja e tij “mos më prekni flamurin”, pasi njerëzit janë në dilemë: E ka për logon dhe siglën e PD apo për sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka. Këto do ta shohim.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar