Pas daljes nga arresti shtëpiak, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për papërgjegjshmëri në menaxhimin e negociatave me Greqinë për kufirin detar.
Berisha doli ditën e Pavarësisë dhe deklaroi se marrëveshja e re për ujërat territoriale është shumë më e pafavorshme për Shqipërinë krahasuar me atë të nënshkruar nga qeveria e Partisë Demokratike, të cilën Gjykata Kushtetuese e rrëzoi.
Ai theksoi se Shqipëria humbi për shkak të qëndrimit të pasigurt dhe të pavendosur të qeverisë aktuale, ndërsa Greqia përfitoi nga e drejta ndërkombëtare për të zgjeruar ujërat e saj në 12 milje.
'Mund të them se të gjitha qëndrimet e Edi Ramës janë të papërgjegjshme në raport me fqinjët tanë. Së pari, ai injoroi totalisht traktatin për shkakun e vetëm se ishte firmosur nga qeveria e PD.
Së pari, qeveria e PD arriti të firmosë marrëveshjen e detit me Greqinë dhe unë u them ju se ajo marrëveshje ishte, siç quhet, fitim-fitim, pra fitonte secila palë. Ajo ishte një marrëveshje e ndershme, transparente, të cilën Edi Rama e paditi në gjykatë, dhe pasi e rrëzoi në gjykatë për interesa joshqiptare, u soll në mënyrën më të papërgjegjshme me autoritetet greke.'
Sipas Berishës, marrëveshja që do firmos qeveria e Edi Ramës me Greqinë për detin do të jetë në kushte të pafavorshme krahasuar me marrëveshjen e parë të 2009-ës.
'Pasi negociuan katër vite me radhë, një ditë të bukur dalin e u thonë, tani nuk na lë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kush humbi në këtë mes? Humbi Shqipëria. Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit.
Ishin këta që negociuan katër vite dhe thanë se ne nuk na lejon vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht asnjë qeveri, edhe unë po të isha, do të bëja të njëjtin vendim. Do merrja të njëjtin vendim. Atëherë Greqia shfrytëzoi të drejtën e traktatit dhe kaloi në 12 milje. Kështu që marrëveshja që do firmoset, firmoset në kushte shumë të pafavorshme se marrëveshja e parë. Kjo për shkak të papërgjegjshmërisë së Tiranës.'