Berisha e akuzoi se po bën aleancë me Ramën, Basha: Dhimbje që tezat e Ramës i dëgjova të artikuluara nga goja e doktorit! Koha është ilaçi më i mirë

Akuzat e Sali Berishës ndaj Lulzim Bashës se ka bashkëpunuar më Ramën duke bërë pazare, janë pritur me dhimbje nga kryedemokrati. Në reagimin e tij të parë që pas marrjes së vendimit për përjashtimin e doktorit, Basha tha se ndjen keqardhje që tezat e armikut të tij Edi Rama i dëgjoi të artikuluara nga goja e Sali Berishës, personit që ai ka konsideratë dhe vlerësim. Basha tha se është detyruar që të marrë vendimin e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD, ndërsa shtoi se nuk heq asnjë prejse nga deklarata e një dite më parë ku vlerësonte kontributet e liderit historik të PD. Basha tha se koha është ilaçi më i mirë duke shpresuar se marrëdhëniet e tij me doktorin do të rregullohen në një të ardhme.

"Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që jam detyruar të marr dje, është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha, por shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për te sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve. Edhe njëherë shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm, timin, të Partisë Demokratike, të çdo shqiptari të ndershëm, të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje i qëndroj edhe sot", tha Basha  

Basha tha se në sallën e Kuvendit gjenden persona që sipas tij duhet të ishin para drejtësisë, ndërsa shtoi se opozita do e kthejë atë sallë në fushë betejën e saj kundër korrupsionit dhe krimit. Duke e cilësuar ditën e sotme si betejën e parë, që në fakt filloi me një lloj bojkoti duke grisur fletët e votimit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, ndryshe nga LSI që votoi kundër, Basha tha se do të ngre lart zërin e drejtësisë për shqiptarët dhe do u kthejë atyre demokracinë e marrë peng nga një pakicë që ndodhet në krye të vendit.

“Brenda në sallë ndodhet sot pakica që ka dhunuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Brenda në sallë ndodhen sot njerëzit që kanë minuar demokracinë shqiptare duke nisur nga Edi Rama, shkatërruesi i zgjedhjeve, i institucioneve të pavarura, i rendit kushtetues dhe i reformës në drejtësi që duhet të ishte para drejtësisë. Para drejtësisë duhet të ishin bashkë me të, monstrat e korrupsionit që e kanë bërë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Ballkanit sipas raporteve të Departamentit të Shtetit, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, që të dy të kapur në flagrancë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Po kështu para drejtësisë dhe jo në këtë sallë duihet të ishte Taulant Balla, kryeshefi i bandave të Elbasanit, njeriu që e di gjithë bota mbarë, përfshirë dhe partnerët tanë e dinë se figuron në listën e zezë të Interpolit si një nga pikat kyçe të pastrimit të parave dhe të trafikut të drogës. Kjo nuk është mazhorancë, kjo është pakica e krimit dhe korrupsionit, pesha e të cilës bie mbi shqiptarët dhe fatet e tyre. Ne kemi një dhe vetëm një detyrë, këtë sallë dhe gjithçka jashtë kësaj salle, nga Vermoshi në Konispol ta kthejmë në një fushë-betejë me dhe për qytetarët shqiptarë deri në mposhtjen dhe largimin e këtij regjimi që ka marrë peng Shqipërinë.  Sot mund të duket si një ditë e vështirë për të folur për këtë betejë sepse në fakt, të paktën brenda kësaj salle, është dhe dita e parë e kësaj beteje. Por një gjë është e sigurt, pakica që ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve dhe që zotëron sot në mënyrë të paligjshme të gjitha mjetet e pushtetit është dhe mbetet pakicë. Detyra jonë është që shumicën zëlartë dhe shumicën e heshtur të shqiptarëve ta mobilizojmë në një betejë pa kthim në mënyrë që t’i kthejmë shqiptarëve vendin e tyre dhe demokraci”, tha Basha.

Në një kohë që pritej që 'lufta' të zhvillohej mes opozitës dhe qeverisë, po bëhet mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ku përjashtimi i doktorit u prit me kërcënime nga ky i fundit kundrejt kryedemokratit. Para Kuvendit, Berisha tha ditën e sotme se përjashtimi i tij është një pazar mes Bashës dhe Ramës. 

"Pazar i turpshëm i Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, do dal nga kjo betejë më e fortë, rroftë PD, rroftë Shqipëria", tha Berisha. 

Duke e sfiduar hapur vendimin e Bashës, Berisha tha se ai vazhdon të jetë anëtar i grupit dhe se në selinë blu mund të futet kur të dojë. Përjashtimi i Berishës solli përçarje mes demokratëve, ku Flamur Noka, Tritan Shehu dhe Edi Paloka nuk u shfaqën krah Bashës në Kuvend, por pritën poshtë shtëpisë së tij Berishën dhe e shoqëruan deri në sallë. Kjo tregoi edhe një herë paralajmërimet që Berisha i kishte bërë kryedemokratit më herët, se ‘influenca e tij në parti është e madhe”.

Sot në Kuvend Sali Berisha nuk u ul si deputet i PD-së, por i pavarur, pasi ai u përjashtua mbrëmë nga grupi parlamentar demokrat, nga Lulzim Basha, njeriun që “i dhuroi” partinë që themeloi në 1990.  Mes Sali Berishës ‘Non Grata’ dhe SHBA, Basha zgjodhi këtë të fundit, duke “vrarë babanë e tij shpirtëror”. Këtë vendim ai e argumentoi se është i përkohshëm, deri sa të zbardhet çështja në rrugë ligjore referuar betejës ligjore të nisur nga ish-kryeministri ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken.

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari