TIRANE - Gjatë një aktiviteti mbi decentralizimin fiskal Kryeministri Berisha u detyrua të pranonte se taksa mbi biznesin e vogël ka qenë një dështim. Pak minuta pas tij ka dalë në konferencë shtypi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, që theksoi se pikërisht për këtë arsye ajo duhet të hiqet sa më parë dhe ftoi Kryeministrin që të mos presë për këtë, kthimin në pushtet të socialistëve.

Kryeministri Sali Berisha ka pranuar se taksa mbi biznesin e vogël ka qenë një dështim. Gjatë një konference të organizuar USAID mbi decentralizimin fiskal në Shqipëri, Berisha pohoi jo pa hidhërim se do të kishte dashur shumë të fliste për një histori suksesi, por realiteti është ndryshe.

Gjatë konferencës për Decentralizimin Fiskal u paraqit edhe një raport që fotografonte gjendjen aktuale dhe vështirësitë fiskale të pushtetit vendor.

Disa nga problemet e evidentuara janë mos miratimi i Strategjisë së Decentralizimit të hartuar në 2010, mungesa e një ligji për qarqet që të qartësojë rolin e tyre, si dhe mos miratimi i ligjit për Financat Vendore.

Sipas raportit të USAID, një nga vështirësitë më të mëdha që has pushteti lokal është mungesa e mundësisë për të marrë hua sipas mundësisë që i ofron ligji, pasi limiti prej 60% i borxhit publik është okupuar gati totalisht prej pushtetit qendror.

Në konferencë mori pjesë edhe ambasadori amerikan Arvizu, i cili për zgjidhjen e këtyre problemeve kërkoi më shumë dialog mes palëve. Arvizu theksoi se transferimi i parave nga pushteti qendror te ai lokal duhet të kryhen përmes një procesi transparent


RAMA BERISHES: "URGJENT ZERO TAKSEN"

Kryetari i partisë Socialiste i bën thirrje qeverisë të zerojë taksën e biznesit të vogël

“Jemi në një moment kritik për biznesin e vogël.Qeveria të heqë taksën në mënyrë urgjente taksën pasi trefishoi barrën e biznesit të vogël. Zerimi i taksës së biznesit të vogël është emergjence jetike. Është mirë ta bëjë tani pa pritur që të ndodhë pas 9 muajsh.”- tha Rama në një prononcim për median të bërë para selisë rozë.

(im/Gre.M/shqiptarja.com)