Pikërisht sot Berisha në vendimet e qeverisë ka miratuar dhe autorizuar dy firma “për importin e mbetjeve për qëllim riciklimi”; shoqërinë “V.A.L.E. Recycling” për importin e 2000 ton mbetjeve në vit nga Italia në rrugë detare dhe tokësore, si dhe “Plastica Albania”-n për importin e 600 tonë mbetjeve në vit me qëllim riciklimi nga Greqia.
“V.A.L.E. Recycling” është autorizuar për mbetje dhe kthime të gizës, çeliqeve, aluminit,bakrit, zinkut, plumbit, por edhe qelqit dhe mbetjeve dhe kthimeve plastike të etilenit, stirenit, vinil-kloridit apo letër dhe karton i rikuperueshëm, tallash dhe kthime të drurit, si dhe veshje të përdorura.
Shoqëria "Plastika Albania” sh.p.k. është autorizuar për importin e mbetjeve të polietilenit në rrugë tokësore dhe detare nga Greqia.
Këtë vendim Berisha e ka mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave.
Këto vendime vijnë në një kohë kur Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) nismoi një referendum kombëtar, që pritet të mbahet në 23 dhjetor 2013 - i pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese pas mbledhjes së 64 mijë firmave nga qytetarët - për t'i thënë "jo" ligjit të importit të plehrave, si dhe kryeministri në pritje për të marrë detyrën, Edi Rama ka premtuar gjatë fushatës së tij elektorale se në 100 ditët e para do ta anulojë ligjin për importin e mbetjeve. Një premtim, që ai e theksoi së tepërmi në një takim në Elbasan, teksa analizoi problemet e ndotjes së atij qyteti dhe të gjithë vendit.
VENDIMI I QEVERISË PËR AUTORIZIMIN E SHOQËRISË “V.A.L.E. RECYCLING” PËR IMPORTIN E MBETJEVE PËR QËLLIME RICIKLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Autorizimin e shoqërisë “V.A.L.E. RECYCLING” sh.p.k. për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi, me kodet e mëposhtme tarifore:
• GA 040 72 04 10 00 Mbetje dhe kthime të gizës së derdhur;
• GA 050 72 04 21 Mbetje dhe kthime të çeliqeve të lidhura;
• GA 070 72.04 30 00 Mbetje dhe kthime të gizës dhe çelikut të
kallajisur;
• GA 120 74 04 00 Mbetje dhe kthime të bakrit;
• GA 140 76 02.00 Mbetje dhe kthime të aluminit;
• GA 160 79 02 00 00 Mbetje dhe kthime zinku;
• GA 150 78 02 00 00 Mbetje dhe kthime të plumbit;
• GE 010 7001 00 Qelq i thyer dhe mbetje të tjera qelqi;
• GH 010 3915 Mbetjet, prerjet dhe kthimet prej plastike:
etilenit, stirenit, vinil - kloridit;
• GI 010 4707 Letër apo karton i rikuperueshëm (mbetje
dhe kthime);
• GL 010 44 0131 00 Tallash, mbetje dhe kthime të drurit, nëse
janë apo jo të aglomeruara në kërcunj,
briketa, sfera apo në forma të
ngjashme: sfera prej druri;
• GJ 120 63090000 Veshje të përdorura dhe artikuj të tjerë veshjeje dhe kodet e listës së Bazelit: B1010, B1020, B3010, B3020, B3030, B3040, bazuar në aneksin 1, “Mbetjet e listës së gjelbër”, referuar vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.
2. Sasia e mbetjeve që importohet, sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 2000 (dy mijë) tonë në vit.
3. Mbetjet importohen nga shteti i Italisë. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të jetë plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi”.
4. Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, shoqëria “V.A.L.E. RECYCLING”, sh.p.k., dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në anekset III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe monitorimi i tyre të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport - analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.
VENDIMI I QEVERISË PËR AUTORIZIMIN E SHOQËRISË “PLASTIKA - ALBANIA”, SH.P.K. PËR IMPORTIN E MBETJEVE TË POLIETILENIT PËR QËLLIME RICIKLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimin e shoqërisë “Plastika - Albania”, sh.p.k. për importin e mbetjeve të polietilenit, me kodet e mëposhtme tarifore:
• GH 011 ex 39 15 10 00;
• B3010,
të Konventës së Bazelit, sipas aneksit 1, “Mbetjet e listës së gjelbër”, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.
2. Sasia e mbetjeve të polietilenit që importohet, sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 600 (gjashtëqind) tonë në vit.
3. Mbetjet importohen nga shteti i Greqisë. Transporti të bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të jetë plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve për përdorim, përpunim dhe riciklim”, dhe anekseve III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
4. Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, shoqëria “Plastika - Albania”, sh.p.k., dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në anekset III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe monitorimi i tyre të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport - analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.
(Foto nga mbledhja e sotme e qeverisë)
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)