TIRANE- Ditën e djeshme një përfaqsi e të burgosurve politikë është paraqitur pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas rrëzimit të kallzimit penal të bërë nga z.Sokol Hasani, ndaj ish- kryeministrit Sali Berisha. Sipas përfaqsuesit të ish-të burgosurve politikë, Skënder Tufa  të bërë për Shqiptarja.com , ndaj të pandehurit Sali Berisha ishte ngritur akuza  për neglizhencë dhe përgjegjsi indirekte në vetflijimin e të ndjerit Lirak Bejko. “Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e bërë nga shtetasi Sokol Hasani me pretendimin se personi në fjalë nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me ngjarjen pasi nuk është familjar i të ndjerit Lirak Bejko apo person që ka lidhje me ngjarjen”, ka sqaruar për Shqiptarja.com, përfaqsuesi i ish-të burgosurve Skënder Tufa.

Mësohet se akuza ndaj Berishës, është hartuar dhe është depozituar pranë Gjykatës së Tiranës nga ish-zv/drejtori i ALUIZNIT-it, Sokol Hasani për neglizhencën që ish-kryeministri ka pasur në paralajmërimet e vazhdueshme të ish-burgosurve politikë dhe më konkretisht në vetflijimin e shtetasit Lirak Bejko. Vendimi i dhënë ditën e djeshme nga Gjykata e Lartë, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura me pretendimin se personi që i kishte bërë ato, nuk ishte i prekur drejtëpërdrejtë nga ngjarja në fjalë dhe nuk ishte familjar i viktimës.

Sipas deklarimeve të bëra nga z.Tufa, avokatja mbrojtëse e z.Berisha jo vetëm ka hedhur poshtë akuzat por ka pretenduar se z. Sokol Hasani që është edhe personi që ka bërë akuazt, ka dashur të përfitojë personalisht nga show mediatik që ka prodhuar. Mësohet se z.Hasani për akuzën e bërë në drejtim të ish-kryeministrit Berisha kishte informuar edhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi. “Ditën e sotme ne kemi ardhur të dorëzojmë pranë Ambasadës Amerikane, një certifikatë mirënjohjeje për ambasadorin z. Aleksandër Arvizu, për përkrahjen dhe kontributin e dhënë në çështjen e të burgosurve politikë”, u shpreh për Shqiptarja.com përfaqsuesi i tyre Skënder Tufa.

Sipas tyre pavarësisht fundit të kësaj çështjeje të hedhur poshtë nga gjykata, akuza ndaj ish-kreut të qeverisë Berisha, do të riformulohet nga shoqata e ish-burgosurve politikë si të prekur të drejtëpërdrejtë në vetëflijimin e Lirak Bejkos. “Çështja do të shkojë deri në fund, ne nuk jemi as pijanececët dhe as kriminelët që na akuzuar Berisha”, kanë deklaruar ish-burgosurit politikë. Lirak Bejko u vetflijua duke u djegur me benzinë mëngjesin e 10 tetorit të vitit 2012. Edhe pse nga grevistët e tjerë u bën përpjekje për të parandaluar aktin e rëndë të vetëflijimit, Bejko do të pësonte djegie në më shumë se 50% të trupit. Lirak Bejko ndërroi jetë në një spital në Itali ku u dërgua për një mjekim më të specializuar.


Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)