Berisha flet me gazetarët për krimin
Po Tafili i ka bërë të gjitha?

Berisha flet me gazetarët për krimin<br />Po Tafili i ka bërë të gjitha?
TIRANE - Sali Berisha në një takim me gazetarët i ka kushtuar një analizë të gjatë e të hollësishme krimit dhe situatës së rendit në vend duke theksuar se kjo është një problematikë mjaft e madhe që shqetëson sot gjithë qytetarët.

Dyshimi se të gjitha krimet e ndodhura së fundmi në vend po i faturohen bandës së Admir Tafilit ndodh pasi sipas tij nuk ka një autor të zbuluar për të gjitha ngjarjet e fundit.

Sipas Berishës ka një sërë dyshimesh mbi vërtetësinë e origjinës së krimit të urdhëruar dhe të komanduar nga banda e Admir Tafilit.

“Gjejnë një të dënuar dhe i veshin një zinxhir ngjarjesh që ja ky është maja. Tafili ka marrë dënimin e vetë. Nëqoftëse kërkojnë të na bindin se të gjitha krimet po i organizon Tafili dhe ne themi të gjitha këto janë gënjeshtra, do presim ti vërtetojë Prokuroria. Radhën tjetër do të dalë Zani Çaushi, po po,”- tha Berisha.

Berisha tha se tashmë gjithçka në qeveri është e diktuar nga krimi pasi edhe në krye të strukturave policore janë drejtorë të cilët kanë një sërë lidhjesh me krimin.

Ish lideri i së djathtës për 23 vite përmendi disa raste të krimit të ndodhura së fundmi të cilat ende nuk janë zbardhur. “Drejtori i njësisë operacionale, Alban Ahmeti pronari i dyqaneve të floririt që i ka shumë qejf, që ka prej 2 muajsh në prokurori dosjen për ndjekje penale, i regjistruar se ka marrë ryshfete, e sikterisi në një rreth të largët njeriun që kundërshtoi ose kërkoi të dhëna për agjentin që do të infiltrohej, Demushin.

Roland Meta, polici që është në burg për vrase ishte agjent i infiltruar në grupin e Shullazit. E njëjta gjë ka qenë për një agjent Pata. Pra pasojat nga shkrirja e Njësisë Operacionale, zëvendësimi i tyre nga njerëz jo profesionalë ose me të kaluar kriminale ka bërë që krimineli po s’u dorëzua vetë nuk kapet dot,”- tha Berisha.

Qeveria sipas Berishës ndodhet në një nga momentet e saj më të këqija dhe ngjarjet e ndodhura së fundmi e pasqyrojnë më së miri këtë. “Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit,”- ka thënë Berisha gjatë takimit me gazetarët.

Rastin e Enver Bashës Berisha e ka krahasuar me atë të dëshmitarit të vrasjes së Komisarit Dritan Lamaj, ndërsa nuk ka lënë pa përmendur edhe zhdukjen e Enver Stafukës.

Për Stafukën Berisha tha se qeveria ia ka dalë të vendosë një heshtje varri rreth fatit të njeriut të rrëmbyer.

“Enver Basha është një rast i ngjashëm me dëshmitarin e vrasjes së Komisarit të Policisë, Dritan Lamaj, të cilin policia u detyrua ta marrë në mbrojtje por i çoi familjarët e vrasësit. Në mbrojtje të vrasësve të vetë kjo qeveri nuk ndalet para asgjëje. 10 ditë më parë është zhdukur pa nam e nishan Enver Stafuka, i konstatuar nga hetimet njeriu që i ka siguruar makinën vrasësit të komisarit të policisë. Askush nuk flet më për të rrëmbyerin. Qeveria ja ka dalë të vendosë një heshtje varri rreth fatit të njeriut të rrëmbyer”, tha Berisha.

Referuar videove të fundit të bëra publike nga mediat përsa i përket dhunës së ushtruar nga policia kundrejt qytetarëve Berisha ka thënë: “Shteti policor ka shfaqur së fundmi, fytyrën e tij të shëmtuar dhe pa maskë. 2 javë më parë, në Komisariatin e policisë është masakruar qytetari Shpëtim Abazi, të cilit i kanë thyer këmbën nën gju.

Kanë vepruar njësoj si me Tomi Mishën. E kanë rrahur shtazërisht. Ky vendosi të hapë padi penale ndaj atyre që e trajtuan në mënyrë shtazore dhe policia ndërhyri tek mjekët që të vononin ekspertizën mjekësore. Derisa i sëmuri shpalli grevën e urisë, tha nuk operohem pa më sjellë raportin mjeko-ligjor. Rasti i Kavajës, njeriun e lidhur e shkelmonte në mes të rrugë policia. E paimagjinueshme.”

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Lufta Rusi-Ukrainë/ Moska sulmon anijet në portin Odessa, 1 person i vdekur! Ushtria ruse hyn në qytetin Toretsk

Lufta Rusi-Ukrainë/ Moska sulmon anijet në portin Odessa, 1 person i vdekur! Ushtria ruse hyn në qytetin Toretsk