TIRANË – Ish-Kryeministri i vendit Sali Berisha ka bërë thirrje për të dytën herë brenda javës për “protesta të përgjithshme popullore ndaj revanshit enverist të Edi Ramës,”  këtë herë i nxitur, sipas tij, nga tendenca e kreut të Qeverisë për të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës.

Nëse pak ditë më parë Berisha e bëri thirrjen për protestë për shkak të “shantazhit” të Ramës ndaj medias, këtë radhë ai e ka argumentuar thirrjen e tij me vendosmërinë  që po tregon Rama “për të marrë të gjitha pushtetet, duke hartuar ligjin me të cilin de fakto merr kompetencat që rrjedhin nga detyra kushtetuese e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.”

Berisha shkruan në mesazhin e tij të publikuar në Fb se “Presidenti i Republikës, si kryetar i shtetit, është me Kushtetutë, Komandant i Përgjithshëm i FA-së ndërsa me ligjin e ri, Rama merr për vete të gjitha kompetencat që Presidenti ka ushtruar në 23 vjet pluralizë. Ky,”- sipas tij, “është një rikthim drejt të shkuarës së zezë.”

Redaksia online
(armanda shtëmbari/Shqiptarja.com)