Ai ka kërkuar nga të gjithë ligjvënësit demokratë që të shkojnë derë më derë dhe të takojnë çdo qytetar, cilëndo moshë qoftë apo cilindo profesioni që të ushtrojë, për t’i sqaruar të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur nën qeverisjen e PD dhe aleatëve të saj.
Nga ana tjetër në çdo qark, deputetët në bashkëpunim me strukturat dhe forumet drejtuese vendore, por dhe me të deleguarit të kryesisë, të bëjnë të qartë në mënyrë publike të gjitha investimet e bëra në rang qarku, rrethi, bashkie apo komune, për të bërë diferencën mes mazhorancës së djathtë dhe opozitës si dhe për të sqaruar se përse duhet dhe një mandat i tretë i vazhdimësisë në qeverisjen e vendit.
Ndërkohë që nuk ka munguar dhe njëherë të shprehet se gjithçka që do të deklarohet në media, përmes deklaratave e intervistave apo dhe me qytetarët në komunikim duhet të jenë të përgatitur dhe të marrin të gatshme ato që ka përgatitur zëdhënësja e fushatës, ministrja Majlinda Bregu. Berisha mësohet të ketë thënë që “duhe të keni kujdes me deklaratat në media, me intervistat, të jenë të ristrukturuara dhe të mos jenë në drejtim të kundërt me qëndrimin e PD për fitore. Jo shenja mosbesimi në fitore tani vetëm pak kohë para zgjedhjeve, sepse gjithçka reflektohet te elektorati, reflektohet në votë”.
Kreu i PD nuk ka përmendur emra, por me sa duket ka qënë i shqetësuar nga deklarata e një deputeti sipas të cilës mund të ketë një koalicion qeverisës PS-PD pas zgjedhjeve, duke sjellë pasigurimi të marrjen e votës më 23 qershor. Berisha ka sulmuar në mënyrë publike kryetarin e PS, Edi Rama.
Sipas tij programi i PD, është i qartë, bashkëbisedim me qytetarët për çdo hall e ankesë të tyre, ndryshe nga Rama që sipas Berishës, përdor qytetarin vetëm për të marrë vota. Deklaratat se janë rritur çmimet për barnat e pensionistëve, sipas Berishës, është një trillim i vërtetë. “Pensionistët në Shqipëri më shumë se kudo tjetër marrin falas barnat nëpërmjet rimbursimit.
Deklarata është një trillim i pabazë pasi atyre u rimbursohen 100 për qind dhe nga pensioni i tyre nuk heqin asnjë qindarkë, por ka një gjë zoti Rama 8 vjet rresht ke votuar kundër rritjes së pensionit të tyre e kjo s’të nderon. Rama kur i do për vota i mashtron pensionistët kur ata i kërkojnë gjë u tregon uturakun, pensionistëve”, akuzon Berisha. Kryeministri i Berisha komentoi historinë e kreut të PS Rama në spitalin e Burrelit, disa ditë më parë nga ku lideri i opozitës deklaroi se është ftohur kur u trajtua me serum.
Duke irozinuar këtë fakt, shefi i qeverisë deklaroi se Rama është ftohur në tajare. “Shkoj në Burrel, u interesuam maksimalisht edhe ministri edhe unë dhe e falenderoi. Thotë u ftoha, gjysmë orë ndenja në reanimacion dhe thotë u ftoha. Pyes unë dhe më thonë: Jo mor jo ai është ftohur në tajare. Thotë burri ashtu”, komenton Berisha duke qeshur dhe më pas shton “Ju lutem censurojeni, se këtë e thotë populli jo unë”. Deklarata u bë në momentin kur ai i kushtoi vëmendje të veçantë reformës së PS në shëndetësi. Berisha këshilloi sot deputetët e PD që të dëgjojnë me interes çdo ankesë të qytetarëve. Ndërsa tha se kundërshtari është në hallin e tij më të madh, si dhe në ditën e tij më të vështirë, pasi parandjen humbjen.
PR, Mediu: PD na vodhi më 2019, marrëveshja e re do ketë dhe ruajtjen e votës
Kreu i PR Fatmir Mediu në një intervistë në emisionin “FKT” të Çim Pekës, përballë drejtuesve të mediave Anila Basha dhe Arion Sulo ka deklaruar se më 2009 i janë vjedhur votat nga PD. Ndërsa tani në marrëveshjen e re me PD kërkon të fiksojë ruajtjen e votës së republikanëve më 23 qershor. “Me ç’të drejtë PD duhet ti marrë votat e aleatëve. Të vjedhë votat.
Unë kam qënë i vetmi deputet që kam votuar kundër Kodit, pasi ka shumë elementë negativë. Ne në rastin më të keq marrim mbi 30 mijë vota në çdo zgjedhje. Ka pasur probleme me zgjedhjet. Janë vjedhur votat”, tha Mediu, duke i dhënë të drejtë dhe Ramës për ankesën e tij. Si shembull ka sjellë rastin e Astrit Veliajt, kandidatit të PR në Berat që katandiset nga 12% në 3%, pasi PR s’kishte numërues.
Ndërsa është për një koalicion dhe me LSI, Mediu kërkon nga PD që të ketë aty ku mundet një anëtar ZAZ apo KQV nga anëtarët e PD. Por më se njëherë ai është shprehur se ka qëndruar korrekt te e djathta pa e kaluar gardhin e saj, ndryshe nga parti të tjera. “Vendi ka nevojë për një vazhdimësi qeverisje dhe pas vitit 2013. Kontributi i LSI ka qënë pozitiv, ndaj duhet të ketë koalicion paraelektoral”, tha Mediu.
Ai është shprehur dhe njëherë se nuk ka faj për “Gërdecin”, duke mos komentuar vendimet e gjykatave, por nuk e fsheh mllefin e tij kundër gjeneral Luan Hoxhës. Ndërsa ka një qasje ndryshe nga Berisha në lidhje me nacionalizmin, duke nënvizuar se duhen respektuar aleatët tanë SHBA, NATO dhe BE.
(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)