TIRANË- Bashkimi me demokratët që kanë qëndruar të distancuar nga lëvizja e tij, nuk është më në axhendën e Sali Berishës. Partnerin kryesor për të arritur të përmbushë sloganin “Më të hapur, më të fortë e më të bashkuar” ka gjetur Ilir Metën, me të cilin thotë se do të drejtojë frontin opozitar.

 “Jemi takuar disa herë me Ilir Metën, mirëprites kontributin e tij dhe LSI-së në opozitarizmin ndaj Edi Ramës. Do jetë një front me bashkëdrejtim”, tha Berisha.

E në këto kushte, për të, deputetët që e kundërshtojnë janë as më pak e as më shumë, veçse kopje e Lulzim Bashës.

“Alibasha është varianti biss i Lulzim Bashës në raportet me Edi Ramën. Veçse një gjë ka ndryshuar, që Lulzim Basha bënte ndonjë telefonatë me Ramën, këtyre të tjerëve i përgjigjet Taulant Balla”, shtoi ai.

Marrëdhënia mes Metës dhe Berishës dukej se ishte krisur kur presidenti në detyrë dekretoi nga Stambolli largimin nga detyra e ushtarakut të Bajram Begajt, që po atë ditë u zgjodh president. Megjithatë, më pas të dy përmes deklaratave u munduan të qartësojnë se do të jenë aleatë, duke u shfaqur përmes fotove në takime bashkë.