Në ditët e saj më të vështira dhe në krizën më të rëndë shëndetësore në historinë e saj si shtet, Shqipëria mori sot dy lajme të mira.

Së pari, ministrat e Jashtëm të Bashkimin Evropian ranë më në fund dakord për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Disa orë më vonë, ky vendim u pasua me një tjetër lajm të mirë, pasi Bashkimi Evropian i dha 50 milionë euro në ndihmë të Shqipërisë për të luftuar koronavirusin si dhe për të rimëkëmbur ekonominë, pas ndikimit negativ që lë pas covid 19.

Për të dy lajmet, por sidomos për vendimin për çeljen e negociatave, reaguan natyrshëm krerët e politikës dhe shtetit shqiptare, që nga kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta, kryetari i opozitës Lulzim Basha, qëndrimi i të cilëve u pasua me reagimin e përfaqësive kryesore të huaja diplomatike në Tiranë. 

Mungon vetëm reagimi i Sali Berishës, i vetëquajtur deri në 2013-ën, si promotor i Shqipërisë Evropiane.

Madje, në këtë ditë, si për të mjegulluar heshtjen e tij, ka përshkallëzuar fushatën e dezinformimit rreth covid-19, në përpjekje për ta kthyer infeksionit që ka alarmuar botën, në një kauzë politike kundër shumicës.

Gjatë ditës së sotme ka publikuar video, montazhe, ka bërë akuza politike për persona të ndryshëm nga Vlora deri në Tiranë, por nuk tha qoftë edhe një fjalë për vendimin për çeljen e negociatave, në cilësinë e ish-Presidentit dhe të ish-kryeministrit të vendit.

Duket se vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian për çeljen e negociatave ka shkaktuar një dhimbje të dyfishtë tek Sali Berisha

Së pari, vendimi për çeljen e negociatave, rrëzon malin e akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të opozitës, duke konfirmuar një tjetër realitet, atë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe goditjes së njerëzve të krimit, sidomos me aktin e fundit special normativ.

Së dyti, ish-kryeministri Berisha, në fund të vitit 2019 dhe sidomos gjatë vitit 2020, ka bërë disa herë "kasandrën", duke paralajmëruar se Shqipërisë nuk do t'i çelen negociatat.

Në shkurt të këtij vitit tha se “nëse ka një projekt që shqiptarët e kishin ëndërr ishte ‘Shqipëria si Evropa, Shqipëri në BE’, këtë projekt e shkatërroi Edi Rama përfundimisht. Edi Rama akuzon poshtë e përpjetë presidentin Macron, por përveç këtij viti ku ai doli hapur se Shqipëria nuk meriton dhe janë 15 vende që thonë se Shqipëria nuk e meriton....A do hapen? Jo nuk hapen kurrë ashtu sic ishin, është dëm i parikthyeshëm”.