TIRANE- Merr fund qeverisja 8 vjeçare e kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike. Në orën 12: 55 minuta Berisha i shoqëruar nga eskorta e tij ka hyrë në presidencë për të dorëzuar te presidentit Nishani detyrën e Kreut të Ekzekutivit duke i hapur kështu formalisht rrugën krijimit të Qeverisë së re.

 E gjithë ceremonia ka zgjatur vetëm 20 minuta dhe më pas, në orën 13:15 minuta Berisha është parë të dalë nga godina e Presidencës

Vetë Presidenti e shoqëroi deri tek dera ish kryeministrin i cili nga sot do të jetë vetëm deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Pas largimit nga Presidenca Berisha është mjaftuar vetëm më një përshëndetje nga xhamat e makinës së tij.

NISHANI: ME BERISHEN BASHKEPUNIM I FRYTSHEM, INSTITUCIONAL E NJEREZOR
Në orën  14: 14 minuta Presidenca publikon një njoftim për shtyp ku shkruhet se Presidenti falënderoi "Kryeministrin në detyrë Sali Berisha për bashkëpunimin e frytshëm institucional dhe njerëzor, vlerësoi rolin politik dhe  kontributin personal të zotit Berisha dhe të Qeverive që ka kryesuar në ndërmarrjen e reformave institucionale, politike dhe ekonomike."

"Në arritje të tilla si anëtarësimi i vendit në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe shtimin e njohjeve të saj, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, realizimin e projektit TAP, investimet në infrastrukturë, etj, sipas Presidentit Nishani “roli dhe kontributi institucional dhe personal i Kryeministrit dhe politikanit Berisha kanë qenë domethënës”.- vazhdon njoftimi për shtyp. 

Nga ana e tij Kryeministri në detyrë, Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe rolin institucional të Presidentit Nishani.

BERISHA: PROTESTE NE HESHTJE
Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ish-kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, u shpreh se nuk do të bënte asnjë prononcim sot deri nesër përveç se në rrjetin social 'Facebook'.  Sipas tij, kjo formë proteste vjen për shkak të “standardit të ri që vendos qeveria e piktorit e cila mbyllet tërësisht nga media dhe urdhëron dikasteret për asnjë komunikim me mediat”.

“Nuk bëj asnjë prononcim përveçse në “Facebook”. Protestë të hapur në grevë heshtje për shkak të standardit të ri që vendos qeveria e piktorit e cila mbyllet tërësisht nga media dhe urdhëron dikasteret asnjë komunikim me mediat. E ka kodin e heshtjes të Eta Xhejms apo instiktin e etërve të vet. E dinë ata që unë këtë gjë s’e pranoj”, u shpreh Berisha për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD.

NE 18:00 NIS PUNIMET PARLAMENTI I RI
Në orën 18:00 hapen zyrtarisht punimet e Legjislaturës së VIII-të parlamentare. Sesioni i ri parlamentar nis me një maxhorancë të fortë së të majtës, plot 83 deputetë përballë formacionit të djathtë e cila ka 57 deputetë. 

berisha
 

SEANCA E PARE 
Sipas traditës punimet e Kuvendit të ri i hap deputeti më i vjetër dhe i takonte kryeminisrit Sali Berisha. Por ai deklaroi dje se refuzonte duke argumentuar jo se PD doli në opozitë por sepse maxhoranca erdhi në pushtet me mashtrime antiglobaliste. Sipas tij Rama pas 2 vitesh do të largohet si Papandreu. Arsyet pse nuk hap Kuvendin e ri

Punimet e Kuvendit do të hapen nga deputeti socialist, Namik Dokle.

Më pas, ngrihet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit i cili verifikon mandatet e deputetëve të zgjedhur.  Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.

Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.

Më pas zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit i cili propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe të Byrosë së Kuvendit . Sipas marrëveshjes PS-LSI emri i kryetari të ri të Parlamentit do të jetë Ilir Meta.  PS pritet të përzgjedhë emrin e nënkryetarit.

Sipas burimeve nga A1 Report Presidenti Nishani do ta dekretojë brenda 24 orëve që nga momenti kur do i dërgohet dekreti për të firmosur qeverinë Rama. Pritet që qeveria e re të nisë punë më 12 shtator.
 
PËRBËRJA E PARLAMENTIT

Në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit u shpall fitues koalicioni i majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane" i udhëhequr nga Partia Socialiste, i cili mundi të sigurojë 83 deputetë, i ndjekur nga koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim" me 57 deputetë.  

Me votat e demokratëve më 23 qershor dolën deputetë 4 kryetarë të partive aleate të djathta dhe 2 ish-deputetë të PS.

Do të funksionojnë tre grupe parlamentare: Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, grupi i Partisë Demokratike dhe grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa janë të përfaqësuara me deputetë 9 parti. 

Në Kuvend maxhoranca PS dhe LSI do të jenë dy grupe kuvendore, “por do të veprojnë në harmoninë më të plotë për të realizuar programin e përbashkët qeverisës” siç deklaroi Rama të premten e kaluar kur mblodhi grupin parlamentar

MANDATET SIPAS PARTIVE
1. Partia Socialiste - 65 deputetë
2. Partia Demokratike - 46 deputetë
3. Lëvizja Socialiste për Integrim - 16 deputetë
4. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet - 5 deputetë
5. Partia Republikane - 4 deputetë
6. Partia Demokristiane - 1 deputet
7. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar - 1 deputet
8. Partia Kristian Demokrate Shqiptare - 1 deputet
9. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut - 1 deputet

Ndër 140 deputetët e kësaj legjislature, 55 ulen për herë të parë. Vihet re prania e madhe e juristëve dhe biznesmenëve. Në sallën e Kuvendit do të ulen edhe 8 ish- gazetarë.
Për herë të parë të gjithë deputetët që do të mbajnë postin e ministrit, do të lënë mandatin. Numri i atyre që pritet të lënë mandatin është 16, nga këto 12 nga PS dhe 4 nga LSI

PS-LSI GRUP PER REFORMEN NE KUVEND
Gazeta  Shqiptarja.com (print) shkruante dje se PS-LSI kanë ngritur një grup pune për ristrukturimin e mënyrës së organizimit të Kuvendit.

Aktualisht Kuvendi është i ndarë në tetë komisione parlamentare. 5 komisione do të drejtohen nga e majta dhe 3 nga e djathta.

Kuvendi përveç komisioneve të përhershme parlamentare, është i ndarë edhe në organe të tjera që janë: Byroja e Kuvendit, sekretariatet e Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve, grupet parlamentare,Këshillat Parlamentarë, komisionet e posaçme parlamentare si dhe nënkomisionet.

Nuk dihet ende skema që pritet të përdorin të majtët lidhur me riorganizmin e këtyre organeve të institucionit ligjvënës. Grupi i punës mësohet se kryesohet nga deputeti i zgjedhur dhe njëherësh ministri i emëruar për marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)