TIRANË- Në selinë e PD-së janë mbledhur dhjetëra protestues kundër ardhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç, protestë kjo e thirrur nga Sali Berisha, megjithatë, Lulzim Basha i është përgjigjur me indiferencë.
Pak para se të nis protesta, Basha ka zgjedhur që të urojë deputeten e tij, Flutura Açka e cila është nderuar me çmim për librin e saj, të titulluar “Biri”.
“Vepra “Biri” e Flutura Açkës, mori sot “Çmimin e Madh të Prozës”, një lajm që më gëzon edhe pse e di fort mirë që Flutura nuk shkruan për çmime, aq më pak këtë libër ku shkronjat rrjedhin si lotët e nënës. Një libër plot dhimbje dhe emocione, por edhe i mbushur me dashuri për jetën; dhe ne që e njohim Fluturën, e gjejmë të madhe tek ajo dhe na frymëzon me fjalët që kanë forcën të na ndryshojnë.
Jam krenar që Flutura është sot pjesë e familjes sonë dhe si deputete lufton për të bërë realitet ëndrrën e pakryer të birit të saj, të Shqipërisë si Europa”, shkruan Basha.
Ndërkohë, gjatë kohës që po zhvillohej protesta, ai ka vijuar mbledhje në selinë blu, megjithatë detajet nga këto takime janë të pakta.