Berisha i ‘tërbuar’, investimi 16 vjeçar te Basha për ta përdorur në ditë të keqe i shkoi ‘dëm’

Berisha i ‘tërbuar’, investimi 16 vjeçar te Basha për ta përdorur në ditë të keqe i shkoi ‘dëm’

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Sali Berisha ka marrë rrugët në takim me bazën e PD për të shpjeguar se përse Lulzim Basha nuk duhet të jetë më kryetar dhe pse nuk e sjell dot partinë më të madhe opozitare në pushtet, pasi është i shitur tek Rama.

Shumëkush është habitur me këtë ndryshim 360 gradë të qëndrimit të Berishës ndaj “birit” të tij politik Basha, pasi deri më tani nuk ishte dëgjuar asnjë artikulim i këtij lloji për 16 vite me radhë.

Nuk është e re të themi se Berisha reagon në këtë mënyrë sa herë i preket interesi i tij personal, dhe Basha ia ka prekur këtë interes, me përjashtimin e papritur nga grupi parlamentar i PD.

Akuzat e tjera që “Basha e bëri këtë veprim si ‘skuth’, pa asnjë transparencë apo në minutën e fundit, pa u konsultuar me organet vendimmarrëse të PD’, mund të qëndrojnë.

Megjithëse duhen parë kushtet në të cilat ka qënë Basha që e ka marrë një vendim të tillë, por në një vend si Shqipëria ku postulati “hip se të vrava, zbrit se të vrava” është moto e jetës politike dhe shoqërore, dhe etiketimet në këtë rast janë të papërjashtueshme.

Shqiptarët janë të bindur, përjashtuar ithtarët e tij, se Sali Berishës nuk i prishet gjaku për PD, pasi nëse do të ishte një element i tillë, nuk do të kishte zgjedhur në krye të PD Lulzim Basha, që ishte “vite dritë” larg karakterit të fortë, personalitetit dhe karizmës së Sokol Olldashit, i cili tashmë nuk jeton më.

Berisha bën sikur e kuptoi tani se anëtarësia e PD mendonin se Bashën e mbështeste fort vetë ai, duke u justifikuar se në këto përmasa nuk e imagjinonte që të jetë luajtur me emrin e tij për të përfituar vota demokrate dhe për t’u zgjedhur kryetar i PD.

Po ja nuk e kuptoi Berisha njëherë, po pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2017 dhe rizgjedhjes së Bashës sërish kryetar i PD pikërisht me mbështetjen e vetë atij, nuk mundi ta kuptojë se sërish ishte përdorur mbështetja e liderit historik në bazë për të përfituar vota.

Për më tepër që në vitin 2017, Lulzim Basha me miratimin e heshtur të Berishës, dhe në prapaskenë duke përhapur qëndrimin se e mbështet Doktori këtë “operacion” të thellë në PD, largoi nga skena politike të gjitha figurat potente të kësaj partie duke filluar nga Jozefina Topalli e vijuar me Astrit Patozin, Majlinda Bregun, Arben Imamin dhe një sërë figurash të tjera të PD. Dhe këtë herë Berisha nuk e “kuptoi” se Basha kishte fituar mandatin e dytë si kryetar opozite dhe për më tepër kishte përjashtuar të gjithë ish bashkëpunëtorët e tij, po duke përdorur emrin e tij?

Për të ardhur tek humbja e zgjedhjeve të 25 prillit dhe rizgjedhjen sërish të Bashës për herë të tretë në krye të PD, përballë disa rivalëve jo fort me emër, nuk e kuptoi Berisha se sërish kishin qënë votat e tij që i kishin dhënë mandatin e tretë të kryetarit të PD të përzgjedhurit të tij në krye të herës?

Askush nuk e beson se Sali Berisha është naiv, dhe i shpëtojnë elementët bazikë politikë nga vëmendja, sidomos në partinë që e ka drejtuar realisht që në themelimin e saj, pra për 30 vite me radhë. Të flasë në çdo foltore Sali Berisha se nuk e dinte se Lulzim Basha ka përdorur emrin dhe mbështetjen e tij për t’u zgjedhur në krye të PD, askush nuk e beson.

Atëherë pse është tërbuar Sali Berisha me aktin e fundit të Lulzim Bashës që e përjashtoi nga grupi parlamentar me vendim personal dhe pa asnjë votim në forume, dhe përse tani Berishën e ha “malli” aq shumë për respektimin e statutit dhe rregullave në PD?

Në krye të herës Lulzim Basha ka vepruar ‘mot a mot’ siç ka vepruar “babai” i tij, pra Sali Berisha për përjashtimin e kundërshtarëve politikë brenda PD-së. Në të gjitha herët, madje duke marrë dhe “bekimin” e “ustait” të tij në tërë maskarallëkun që është bërë në PD, e cila tashmë është katandisur në atë gjendje sa Lulzim Basha shihet si zgjedhja e vetme për kryetar.

Berisha reagoi vetëm kur mekanizmi i krijuar prej tij për 30 vite me radhë, u zbatua në mënyrën më perfekte nga “biri” i tij politik Lulzim Basha, duke e degraduar në një deputet të thjeshtë, pa grup parlamentar dhe të abandonuar të paktën publikisht nga “krijesat” e tij politike.

Injorimin nuk e përtyp Sali Berisha, aq më tepër në këto momente kur ai është në hall të madh me SHBA, e kanë shpallur “non grata” familjarisht dhe kur mbështetja e PD i duhej në mënyrë ulëritëse. Ashtu sikurse i shërbeu në vitin 2005 kur erdhi në pushtet, pavarësisht se aleatët tanë kishin në mendje një interlokutor tjetër në krye të qeverisë.

Por tani Sali Berisha e ka hall jete përballjen me konseguencat që vijnë nga shpallja “non grata” në SHBA, pasi ka në prag drejtësinë e re e cila herët apo vonë do ta kalojë nëpër “karuselin” e saj për të verifikuar të gjitha akuzat e ngritura, të cilat nuk janë pak.

Sali Berisha kishte investuar për 16 vite me radhë tek Basha në lidershipin e PD, pikërisht për ta patur në krah vetëm për një ditë, në këtë moment të keq jo për karrierën e tij politike por për vetë atë dhe familjen e tij biologjike.

Investimi i vetëm më i madh i Berishës për 16 vite me radhë ka qënë Lulzim Basha. Me një fjalë goje të vajzës së tij Argita Berisha Malltezi, ish kreu i PD e katapultoi që në fillim të vitit 2005 Bashën në KOP, e kandidoi për deputet në një zonë që njihet si e djathtë në Tiranë për t’ia bërë hyrjen në Parlament të sigurtë dhe me fitoren e PD e bëri ministër të Transporteve.

Pastaj e bëri ministër të Jashtëm dhe në fund e emëroi Ministër të Brendshëm. Në tetë vite mori postet më të rëndësishme ministrore të qeverisjes së PD, duke treguar qartë se Lulzim Basha ishte qartësisht i përzgjedhur nga Berisha si pasues i tij.

Në fund të herës, duke “imituar” dhe rrugën e ngritjes politike të kundërshtarit politik Edi Rama, Berisha e zgjodhi Bashën kandidat për kryetar bashkie në Tiranë, pikërisht përballë kreut të atëhershëm të opozitës, Edi Rama.

Teksa ia mori fitoren në tavolinë Ramës për llogari të Bashës, Berisha mori përsipër koston e goditjes politike të ndërkombëtarëve por dhe të qytetarëve shqiptarë për këtë tjetërsim vote, si një investim për të përzgjedhurin prej tij për ta pasuar në krye të PD.

Teksa humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, Berisha zgjodhi Bashën kryetar dhe e mbajti në krye me gjithë tërë humbjet e realizuara përballë Ramës, me gjithë djegien e mandateveve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore.

E mbajti në krye të PD vetëm se Berisha shihte tek Basha njeriun që mund ta komandonte sikurse e ka komanduar në tetë vitet e qëndrimit në opozitë dhe në krye të PD, dhe ta përdorte sa herë që kishte hall. Për këtë arsye kishte investuar Berisha tek Basha për 16 vite me radhë.

Berisha tashmë ka hall, dhe në momentin kur kishte më shumë se kurrë për nevojën e “kthimit” të këtij investimi, Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD, duke i hequr mbështetjen politike. Jo se do ti bënte punë Berishës, dhe këtë e di dhe vetë ish lideri i PD.

Dhe Berisha ndaj është tërbuar me Bashën, pasi për herë të parë dikush e penalizon pikërisht me rregullat që vetë Berisha ka vënë në PD për përjashtimet. Aq më tepër që Basha thotë se e ka bërë me këmbënguljen e amerikanëve, të cilët e vunë para alternativës: ose me Berishën duke “ngrënë bar” ose me partnerin dhe mikun më të madh të shqiptarëve.

Ndonëse Basha e ka treguar ndër vite se sa herë ka ndërmarrë vendime të gabuara në PD, “faturën” e përgjegjësisë ia ka lënë Berishës, teksa nëpër ambasada thotë se “ai, Doktori nuk e lë të drejtojë PD dhe të gjitha vendimet i merr ai”, pra Basha vetë nuk mban asnjëherë përgjegjësi, nuk duhet të mos e besojmë kur thotë se amerikanët i vunë kusht largimin e Berishës. Ndonëse nuk duhej ta thoshte me zë të lartë, për t’i lënë vetes kuotat e larta të një lidershipi të fortë politik, që vendimet i merr vetë dhe pa trysni. Megjithëse Basha nuk kishte nga lëvizte për këtë vendim, të cilin mund ta kishte marrë që në vitin 2013, duke u ndarë nga lideri i tij shpirtëror, ose duke mos e kandiduar as në zgjedhjet e vitit 2017 apo të vitit 2021. Nuk është se përfitoi shumë vota nga “ruajtja” e PD nga përçarja, sikurse justifikohet rëndom Basha për këtë pasivitet në vendimin e tij për të “vrarë” babain politik. Sërish në opozitë është.

Tashmë situata në PD është pa kthim, Berisha nuk e njeh kthimin prapa dhe do t’i shkojë në fund ndërmarrjes së tij kundër Bashës. E cila nuk duhet të merret lehtë, pasi nëse arrin të mbledhë Kuvendin Kombëtar, atëherë ndryshimi i statutit të PD për referendumet është më se i realizueshëm dhe Berisha bën çfarë të dojë me Bashën. Demokratët janë të bindur se me Bashën në krye të PD nuk ka kthim në pushtet.

Fatalisht të dyja zgjidhjet, si me Bashën kryetar ashtu dhe me rikthimin e Berishës në dominim të PD dhe zyrtarisht vetë ose përmes një kryetari tjetër të zgjedhur prej tij, pas kësaj përplasjeje të madhe, janë në favor të rrënimit të PD dhe të opozitës.

Rruga e vetme e kësaj partie që të pretendojë për të ardhur në pushtet është rithemelimi i saj, me një vizion të ri, platformë të re dhe një lidership të ri dhe të papërlyer në këto 30 vite. Pa Berishën dhe Bashën në këtë lidership kuptohet.

Ndryshe do të ngelet në kushtet e mbijetesës, me një lidership që kanë si kolonë të strategjisë së tyre sjelljen inatçore dhe radikale, në vend të një strategjie që me vizionin e saj për të ardhmen, kënaq jo vetëm militantët e PD por dhe pjesën gri të elektoratit që të sjell apo të heq nga pushteti.

Gjithsesi Berisha tashmë në perëndim të ciklit të tij jetësor dhe politik nuk ka për t’ia falur kurrë investimit të tij për 16 vite, Lulzim Bashës “atvrasjen” në momentin më të vështirë për të dhe familjen e tij biologjike, ku vuan pasojat e shpalljes “non grata” të SHBA por dhe është përballë SPAK dhe drejtësisë së re që pritet të “krehë” politikën shqiptare në periudhën në vijim.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë