Berisha kërcënon me 'revolucion', Basha s’guxon t’a dëbojë! PD në prag të ndarjes

Berisha kërcënon me 'revolucion', Basha s’guxon t’a dëbojë! PD në prag të ndarjes

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Vetëm një javë përpara hapjes së sesionit parlamentar, për konstituimin e Parlamentit të ri shqiptar të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, situata politike vijon të qëndrojë e trazuar.

Publikimi i emrave të kabinetit të ri qeveritar me sa duket ka shërbyer për të treguar se dhe opozita është në punë, teksa ka kritikuar madje sulmuar dhe me “goditje poshtë brezit” përbërjen e këtij kabineti, sidomos ministret femra, që janë plot 12 të tilla.

Por afrimi i 10 shtatorit, kur Parlamenti do të konstituohet, ka krijuar dhe një kaos në radhët e opozitës shqiptare, e cila po vuan rëndshëm në sensin e orientimit dhe të ndarjes nga e shkuara.

Ish kryeministrit Sali Berisha nuk i është pritur, dhe me një gjuhë tërësisht jashtë kontrollit ka filluar sulmet ndaj mazhorancës së PS dhe kryeministrit Edi Rama, në të njejtën ditë me publikimin e emrave të qeverisë së re.

Kërcënimi i Berishës me “revolucion” dhe thirrja e tij ndaj qytetarëve shqiptarë për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, është një sinjal i qartë se ai e ka ndarë mendjen për të qënë pjesë e Parlamentit jo thjeshtë si deputet por si “kapo” i pjesës më të madhe të grupit parlamentar të PD.

“Mandati i tretë i Edvin Ramës është fatkeqësia e tretë kombëtare sepse njëlloj si dy të tjerat do jetë mandati i krimit, drogës, konsolidimit përfundimtar të narkoshtetit dhe kakistokracisë.

Të gjitha këto të dashur miq, janë një thirrje një kushtrim për çdo qytetar shqiptar të ngrihet kundër kësaj klike antikombëtare të ngritur mbi krimin, drogën, korrupsionin dhe tradhëtinë e lartë kombëtare”, ka deklaruar mes të tjerash Berisha, duke paralajmëruar një opozitë radikale.

Pavarësisht nga paralajmërimi i ambasadores Yuri Kim, pas shpalljes “non grata” nga DASH për Lulzim Bashën, që të distancohet ai dhe PD nga Berisha, duke nënkuptuar që ish kryeministri demokrat të mos jetë në Kuvend, kreu demokrat duket i pafuqishëm të dëbojë “Atin” e tij politik nga partia.

Berisha po e mban nën presion Bashën jo vetëm që të mos ndërmarrë asnjë veprim kundër tij për ta përjashtuar minimalisht nga grupi parlamentar i PD, por me kërcënimet me “revolucion” ai po përpiqet t’i imponojë dhe rrugën që duhet të ndjekë për të bërë opozitë ndaj Ramës, në mandatin e tretë qeverisës.

Dhe rruga që imponon Berisha është lëvizja radikale, protesta dhe dhuna ndaj institucioneve, bllokimi i rrugëve dhe përdorimi me të gjitha mjetet rrethanore për bllokimin e punës së qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Lulzim Basha deri më tani ka heshtur dhe nuk ka thënë asnjë fjalë në lidhje me distancimin e tij dhe të PD nga lideri historik, duke treguar qartë se ka zgjedhur strategjinë e pritjes dhe të lënies së situatës të rrjedhë me kohën. Eshtë ‘mjeshtër’ për këtë mënyrë të vepruari.

Njëherësh, ka pasur dhe disa tentativa spontane të anëtarëve të kryesisë dhe figurave të tjera në parti, të cilët kanë kërkuar që Berisha të mos jetë pjesë e grupit parlamentar në momentin e konfigurimit të parlamentit, por të operojë si deputet i pavarur.

Eshtë një zgjidhje e mesme që me sa duket mesazhin Basha po ia jep në distancë Berishës, përmes të besuarve të tij në forumet më të larta të PD, pa guxuar vetë të dalë ballë përballë me liderin historik, për t’i treguar se është ai kryetar i PD dhe se e përcakton ai strategjinë politike për bashkëpunimin me mazhorancën e mbi të gjitha me aleatët tanë të mëdhenj, SHBA dhe BE.

Madje ish numri dy i qeverisë teknike të vitit 2017 nuk ka munguar që përmes interpretimit të ligjit për “Dekriminalizimin”, “kali i betejës” së Lulzim Bashës për shumë kohë në luftën kundër Edi Ramës, të shpjegojë se Sali Berisha nuk mund të marrë as mandatin e deputetit, pasi ky ligj, tek neni i dëbimeve, ka përqasje me personat e shpallur “non grata” që përjashton kategorikisht hyrjen në parlament. Duke penalizuar dhe Berishën, sipas saj që në KQZ kur të jepen mandatet.

Përdorimi i mbështetësve të tij në strukturat dhe forumet e larta të PD për të goditur Berishën dhe për t’i kujtuar se nuk duhet të bëhet më barrë për PD, ka bërë që ndaj Bashës të shpërthejnë akuza të forta në media dhe rrjetet sociale nga ana e ithtarëve të Berishës, të cilët ekzistencën e PD deri më tani, por dhe më tej e lidhin vetëm me Sali Berishën.

Madje nuk mungojnë të përsërisin se Basha është në koalicion me Ramën dhe sa të jetë ai në krye të PD, opozita shqiptare nuk vjen në pushtet. Ndërkohë që vijojnë publikimet e vilave të tij në media, duke arritur deri atje sa dhe dhëndërri i Berishës, të përfshihet në debat duke sulmuar publikisht kreun e PD. Nën justifikimin e “fshehur” të lënies jashtë kryesisë së PD.

Praktikisht PD është ndarë në dy grupime, të cilët po bashkohen respektivisht rreth Berishës dhe Bashës, duke hedhur për konsum politik deklarata mbështetëse për liderët përkatës.

Ajo që vihet re me sy të thjeshtë është se mbështetësit e Bashës, përjashtuar dy tre syresh prej tyre, shprehen për një opozitë të fortë por konstruktive në parlament, por në asnjë rast nuk atakojnë Berishën. Megjithëse i kundërvihen në mënyrë të tërthortë, duke mos e mbështetur në rrugën e tij të “revolucionit” për largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Dhe si për t’i hedhur më shumë “benzinë” “zjarrit” që vijon të jetë ndezur në PD, ka menduar vetë Edi Rama, teksa ka përsëritur dhe njëherë ftesën e tij për bashkëpunim të ngushtë me Lulzim Bashën. Por duke kërkuar këtë radhë nga ai dhe lidershipi i PD që të ndalin luftën ndaj kundërshtarëve politikë e Shqipërisë në anglisht. Pra më takim me ndërkombëtarë gjatë vizitave të ndryshme por dhe gjatë takimeve në Shqipëri.

Pikërisht ftesa e përsëritur e Ramës dhe heshtja e Bashës, i cili i ka përcaktuar piketat e tryezës së ardhshme me kreun e bazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën e sakatuar në 2008 dhe ndarjen territoriale, ka nxitur dhe reagime shumëfishe të Berishës dhe mbështetësve të tyre.

Në të gjitha artikulimet publike, ish kryeministri e ithtarët e tij të rrugës radikale të opozitarizmit, janë shprehur se sa të jetë Rama kryeministër, nuk do të ketë asnjë kompromis me mazhorancën.

Jo pa qëllim hidhen akuza nga më të rëndat ndaj Ramës dhe ministrave të tij ende të pamiratuar nga Kuvendi dhe dekretuar nga Presidenti, si të përfshirë në korrupsion, në trafik droge, në veprimtari antikombëtare dhe të shitjes së interesave të vendiit.

Konteksti është i qartë: Paralajmërim për Bashën se me këtë qeveri nuk bëhet asnjë marrëveshje pasi është qeveri e krimit, dhe “sondimin” tek anëtarësia e PD se nëse Basha hyn në dialog me Ramën atëherë zhbën akuzën e vjedhjes së votave më 25 prill dhe të gjitha akuzat e tjera ndaj kësaj qeverie, duke u njehsuar me të dhe bërë si ajo.

Parë në këtë këndvështrim, PD rrezikon që pas 10 shtatorit të ndahet në dy pjesë, nga njëra anë Berisha dhe mbështetësit e tij në Parlament dhe anëtarësi, nga ana tjetër Basha dhe njerëzit e tij në legjislativ dhe në bazë.

Pavarësisht se Basha duket në epërsi pasi ka zgjedhur vetë strukturat drejtuese të PD dhe në mënyrë apriori mund të mendohet se ka dhe pjesën më të madhe të deputetëve të PD në Kuvend, e vërteta është se Berisha, duke shfrytëzuar dhe pamundësinë e Bashës për ta mundur Ramën për herë të tretë por dhe karizmën e tij, ka mbështetjen më të madhe në PD.

Ndërkohë që në ndihmë të Berishës ka ardhur dhe presidenti Ilir Meta, kryetari real i LSI, i cili përmes numrit dy të partisë Vasili ka qënë kategorik kundër çdo marrëveshjeje të opozitës me mazhorancën, duke e cilësuar 25 prillin të pazgjidhur, e paralajmëruar për bojkot të Parlamentit.

Akuzat e LSI kanë vijuar në të njejtën gjatësi vale me atë të Berishës, çka tregon se janë në të njejtin front kundër dialogut në Shqipëri, por dhe kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA, ku nuk mungojnë “shigjetimet” ndaj ambasadores Kim.

Gjithçka mbetet për t’u parë pas 10 shtatorit, kur Berisha do të hyjë me “dhunë” në Kuvend, si pjesë e grupit parlamentar të PD, duke sfiduar jo vetëm Bashën por dhe SHBA e BE, që kanë kërkuar distancimin e opozitës nga Berisha, por dhe nga Meta, për të parë drejt së ardhmes.

E vërteta është se Berisha nuk ka asgjë për të humbur, dhe për të mbrojtur veten e familjen e tij, është gati të sakrifikojë jo vetëm PD-në por dhe vendin, teksa bën thirrje për “revolucion”. Mbetet për t’u parë sa fuqi do të ketë lideri historik i PD për t’iu imponuar politikës shqiptare përmes partisë që ka drejtuar për 30 vite, por dhe reagimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë ndaj Bashës dhe pafuqisë së tij për t’u ndarë nga e shkuara dhe për të parë drejt të ardhmes, nëse pretendon vërtet për të qënë në “radhë” si kryeministër i ardhshëm i vendit.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • gjergji: 06/09/2021 06:41

    Parlamentaret e PS mos ta lejojne hymjen e S.Berishes ne parlament me force.Opcioni tjeter duhet te jete krijimi i te njejtes skene ne parlamentin shqiptar ashtu si Berisha krijoj per Tahirin.Eshte zor qe malcorin e thekun ta hedhesh nga kali,prandaj eshte e nevojshme ti "vritet" kali.Rruge tjeter nuk ka ka.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër