TIRANE- Ish- Kryeministri, Sali Berisha, ka qenë i pari nga selia blu që ka reaguar pas bllokimit të avionit nga policia në plazhin e Divjakës. Fillimisht ish-kryeministri Berisha u shpreh se avioni në Divjakë nuk u kap nga një operacion i Policisë ashtu siç pretendonte mazhoraca por ra për shkak të mbingarkesës së drogës që kishte në brendësi të tij. “Kapet në Divjakë mushkonja e parë e miellit e Edi Ramës! Avioni nuk është ndaluar nga Policia as dhe nga ndonjë operacion antidroge, por bie nga mbingarkesa.

Zoti shpëton shtëpinë e një fshatari pa i rënë avioni mbi çati. Ky është sundimi i drogës”, u shpreh fillimisht Berisha. Ndërkohë pasi janë zbuluar më shumë detaje në lidhje me këtë ngjarje, Berisha bëri publike të dhëna të tjera në lidhje me pilotin e avionit dhe lidhjet që sipas tij kishte ai me Ramën. “Të dashur miq, e vërteta vonon por nuk harron. Dielli me shosh nuk mbulohet. Thuhet se avioni është nisur nga Rinasi me drogëra të forta dhe në Divjakë ka marrë ngarkesën (mbingarkesën) tjetër, me të cilën u rrëzua.

Sipas ish-kryeministrit Berisha, fitimi nga shitja e lëndëve narkotike ndahej mes pilotit dhe kryeministrit Rama. “Piloti është person me precedentë kriminal por natyrisht me kontratë për ndarje fitimi me Ramën dhe suitën e tij. Policia ka shkuar me dy orë vonesë. Klika Rama - Meta shndërroi Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Qytetarë, regjimi punisto - mafioz po damkos dinjitetin tonë dhe të Shqipërisë”, deklaroi Berisha.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)