TIRANË – Ish-Kryeministri Berisha këtë mbrëmje, një kushtrim për qytetarët shqiptarë që të mblidhen urgjent tek Piramida në Tiranë, në mbështetje të grevistëve të shkarkuar nga puna. Dhe pas mesazhit, që ka nxitur qindra militantë të PD-së t'i drejtohen Piramidës, deputetë, drejtorë të bashkive dhe minibashkive të drejtuara nga demokratët, Berisha ka nisur së pari mbesën e tij Desara Malltezi pranë Piramidës.

Më pas, në orën 21:20, ai ka lëshuar komjuterin dhe ka mbërritur vetë tek protestuesit, që e pritën me brohorima. 

Në mesazhin e tij -kushtrim në Facebook, nga të rrallët e tij të këtij lloji, ish-Kryeministri shkruante:

“Thirrje urgjente! Të gjithë tek Piramida kundër klikës në pushtet! Klika e Ediskobarit dhe baroneve të droges iu rrëmbeu me banditë me uniform, çadrat grevistëve trima të urise qe nisen vetflijimin ne mbrojtje te te drejtave te tyre, te drejtave te qytetareve nga Edvin Kristaq Rama.

Keta jane gra dhe burra, qe ne dhunim te ligjeve te vendit jane perzene nga puna, kane fituar gjyqet per tu kthyer ne pune por Edvin Kristaq Rama shkelmon mbi te drejtat, dinjitetin dhe lirite e tyre.

Ju bej thirrje qytetareve: te gjithe ne mbeshtetje te grevisteve qe me jeten e tyre vendosen te mbrojne te drejtat e tyre te ligjshme, po mbrojne dinjitetin tone dhe kafshaten e gojes se femijeve te tyre. Beteja nisi! Ne do fitojme!”

Këtë radhë, mesazhi i Berishës ishte ilustruar me një fotografi, që gjithashtu përcillte një mesazh të dytë për qytetarët, në të cilët thuhej: "Ju garantoj se do të bëj gjithçka në mbështetje të interesave dhe aspiratave fisnike të të gjithë shqiptarëve.”

Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)