Pavarësisht se e ka vërtetuar prej kohës, Sali Berisha edhe sot legjitimon dhunën jo vetëm ndaj institucioneve dhe punonjësve të shtetit, që sipas tij janë në shërbim të interesave të jashtëligjshme të kryeministrit Edi Rama, por edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Berisha mbron dhunën që deputetët e tij sateltë, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi, ushtruan ndaj 2 personave në protestën e 20 shkurtit, për të cilët ligjvënësit menduan se ishin policë civilë që po arrestonin militantët e dhunshëm të Partisë Demokratike. Në fakt vetëm njëri prej tyre rezultoi i tillë, Krenar Metaj, ndërsa Totem Toraj është një qytetar që ka një biznes privat dhe ndodhej rastësisht në konfliktin që ndodhi në afërsi të Xhamisë së Namazgjasë.

“Shikoni banditët pa uniformë që ndjekin deputetët.”, shkruan kryedemokrati. E vërteta është komplet ndryshe nga interpretimi i Berishës, pasi ishin deputetët e tij besnikë ata që ndoqën dhe dhunuan agjentin e Komisariatit Nr.1 në Tiranë dhe qytetarin që nuk kishte asnjë lidhje me protestën apo policinë.

Qytetari Toraj dhe agjenti Metaj bënë një kallëzim në polici për dhunën që pësuan nga Noka e Këlliçi, që sot janë nën hetim nga prokuroria. I kontaktuar nga Report Tv, Toraj tha se ka pasur kontakt me deputetë të PD-së që mbrëmjen e 20 shkurtit në Komisariatin nr. 1, dhe u ka thënë që t'i kërkojnë falje publike, përndryshe do i kallëzonte penalisht. Sipas tij, të vetmen përgjigje që ka marrë, nga deputetët, ka qenë shprehja ironike se "je bërë VIP".

Në këto kushte ka bërë kallëzim në polici, duke treguar rrethanat e ngjarjes, nga momenti i takimit me agjentin që e njihte, deri te sherri që tentoi të ndalonte dhe shtyrjet që Noka ka bërë ndaj tij. Ai thotë se nuk është polic, merret me punët e tij dhe nuk ka lidhje me asnjë parti politike. Më pas kallëzim ka bërë edhe efektivi Krenar Metaj.