Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur pasditen e sotme Departamentin e Infrastrukturës në PD, qëllimi i të cilit sipas tij është që të punojnë për ngritjen e një alternative konkrete për t'i dhënë zgjidhje problematikave
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se me infrastrukturën dhe punët publike në Shqipëri janë bërë vjedhjet më të mëdha, që sipas tij arrijnë në disa miliardë euro.
Po ashtu kryedemokrati theksoi se kryeministri Edi Rama me vendimin që PS mori në Parlament për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, i mbylli dyert Drejtësisë.
“Ky mandat i Ramës ka zero legjitimitet. Një faktor tjetër është bërë faktor famëzi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, është faktori i korrupsionit, ku kryeministri vetë, njëherë me emrin Belinda Balluku dhe njëherë me emrin Ergys Agasi, është protagonist i aferave korruptive më të mëdha. Reagimi i tij, që është reagimi tipik i hajdutit që për të shpëtuar lëkurën është i aftë të marrë çdo vendim, ishte mbyllja e dyerve të hetimit dhe të sistemit të drejtësisë. Vetëm me qëndrimin e tij ndaj korrupsionit, Rama humbet çdo legjitimitet.
Bashmë me Partizan Sadushin i dhanë një goditje për vdekje ndjekies penale, përgjegjësisë penale dhe institucionit të akuzës. Opozita dhe shqiptarët do i japin shpejt vendin që i takon. Ne e filluam këtë debat me infrastrukturën. Sepse me infrastukturën dhe punët publike të këtij vendi janë bërë vjedhjet më të paimagjinueshme. Janë investuar në 12 vite mbi 12 miliardë euro. Po të hidhni sytë se çfarë mbetet, infrastruktura dhe rilindja urbane janë dëshmia më flagrante e vjedhjes dhe shpërdorimit”, tha mes të tjerash Berisha.
Ish-kryeministri vijoi më tej duke përmendur emrat e disa akseve rrugore, në të cilat sipas tij janë vjedhur miliona euro, duke veçuar akset Librazhd-Prrenjas, i cili u shemb dhe tunelin e Llogorasë, në të cilin sipas Berishës, Balluku dhe Rama vodhën 50 milionë euro me një të rënë të lapsit.
“Rruga Qukës-Qafë Plloç po shembet përditë, ka kushtuar rreth 370 milionë euro. Rruga e Arbërit në të cilën 27 km të mbetura pa ndërtuar, kilometri 11 metër i gjerë kushtoi më shumë sesa kushtoi kilometri në çdo rrugë tjetër. Nuk janë ndërtuar as 10 km kanal, por janë mbushur edhe ato që ishin. Po ta merrni këtë periudhë, ka qenë periudha e batërdisë dhe rrënimit masiv të infrastrukturës dhe veprave publike. Kanë 10 vite që flasin për hekurudhën Tiranë-Durrës, por tren nuk ka, karrocë ka, pavarësisht se paguhej 700 punonjës. Aty ku rruga ndërtohej me 700 mijë euro metri, kaloi në 5 milionë euro dhe në fund shembet. Aty ku shkolla ndërtohej me 1 mln euro, kaloi në 8 dhe 10 milionë euro, për të mbetur pa nxënës fare. Nuk ka krime më të mëdha ekonomike se ato që u kryen në infrastrukturë. Këta copëtuan çdo vepër publike dhe çdo rrugë në lote.
Nga Lezha dhe në veri nuk është ndërtuar asnjë kilometër rrugë. Shkodra me Tiranën do 3-4 orë. U investuan 220 milionë në tunelin e Llogarasë, e cila shkuron gjithsej 13 minuta dhe përjashton për turistët një nga panoramat më të bukura. U ndërtua për të futur në xhep 50 milionë euro me një të rënë të lapsit. Shembin rrugën Librazhd-Prrenjas dhe nuk ndërtojnë bypassin e Elbasanit, i cili përbën një emergjencë. Këta shkojnë ndërtojnë në Dragostunjë dhe atje rruga shembet. Unë nuk jam kundër korridorit VIII, por ti e fillove nga Tirana, vazhdo në Elbasan dhe pastaj vijo më tej”, shtoi më tej Berisha.
Ndërkohë Berisha tha gjithashtu se askush nga Qeveria nuk mban përgjegjësi për vjedhjet që sipas tij janë bërë me rrugët. Berisha foli edhe për hekurudhat në Shqipëri, të cilat sipas tij janë kthyer në një ‘gropë’ korrupsioni, ku vetëm vidhet dhe tren nuk ka.
“Askush nuk po mban sot përgjegjësi për vjedhjet. Ndaj dhe ky departament është në misionin e tij për të hartuar projektin apo planin më të mirë, për ndërtimin e urbanistikës më moderne. Greqia po ndërton hekurudhën Janinë-Kakavijë me 4 milionë euro kilometri, por kostoja e ndërtimit në Greqi është më e lartë se në Shqipëri dhe 4 milionë. Këtu 20 milionë", përfundoi Berisha.
Komente













Kur flete berisha ne mbrojtje te drejtesise !! Mendoni 1 hera cfare ka thene ai per te?!
Përgjigju