TIRANË - Ish-kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar vendimin e KKT për anulimin e godinës polifunksionale të Xhamisë së Namazgjasë, madje e ka quajtur anulim de juro dhe de facto dhe të vetë projektit të xhamisë.

"Anulimin e lejes komplekse për ndërtimin Xhamisë e bëri vetëm e vetëm bazuar në urrejtjen e tij ndaj kundërshtarit politik, motivi më i fuqishëm që udhëheq të gjithë qenien dhe veprimtarinë e tij", thekson Berisha në komentin e tij në Facebook, duke e quajtur lejen komplekse plotësisht të ligjshme dhe duke paralajmëruar se "aty do të ngrihet një kompleks tjetër".

"Mbledhjet e KKT të bëhen të hapura, mblidhen si në shpellat e Cosa Nostras, sikur të ishin ndrikulla dhe kumbarë dhe jo ministra të një vendi të lirë. Kësaj i thonë transparencë. Duart e mafies në shtëpinë e perëndisë", mbyll komentin e tij Berisha.

KOMENTI I PLOTË I SALI BERISHËS:

XHAMIA DO TË BËHET


Të dashur miq, njeriu që për 11 vjet me radhë bllokoi me mashtrime dhe bizantinizma të padenja ndërtimin e Xhamisë së madhe të kryeqytetit, në mbledhjen e parë të tij si kryetar i KKT-së, në vendimin e parë anuloi de fakto, por dhe de juro lejen komplekse për ndërtimin e Xhamisë dhe futi procesin e ndërtimt të saj në kalendat greke.

Anulimin e lejes komplekse për ndërtimin Xhamisë e bëri vetëm e vetëm bazuar në urrejtjen e tij ndaj kundërshtarit politik, motivi më i fuqishëm që udhëheq të gjithë qenien dhe veprimtarinë e tij.

Preteksti se leja ishte e paligjshme është fund e krye mashtrim dhe vetë Rama nuk thotë dot qoftë dhe një fjalë të vetme se ku është cënuar apo shkelur ligji nga KKT në dhënien e lejes komplekse, të cilën ai zotohet se do ta zëvendësojë me një leje tjetër komplekse.

Leja e bazuar në vendimin e KKT të datës 29.05.2013 është plotësisht e ligjshme. Kjo sepse KKT pasi ka shpallur zonën, zonë kombëtare, ka qenë në tagrin e saj për dhënien e lejes, e cila është në përputhje me PPV e qytetit që lë të gjithë njësinë strukturore të zonës 2-62 (që është dhe zona ku ndërtohet Xhamia ) si zonë të mundshme ndërtimi.

I paligjshëm dhe i rrezikshëm për vendin është vendimi që ka në bazë urrejtjen politike dhe që merret në një mbledhje të paligjshme nga zyrtarë të cilët në dhunim flagrant të nenit 8 pika 4 të Ligjit për Urbanistikën, i cili detyron që mbledhjet e KKT të bëhen të hapura, mblidhen si në shpellat e Cosa Nostras, sikur të ishin ndrikulla dhe kumbarë dhe jo ministra të një vendi të lirë. Kësaj i thonë transparencë. Duart e mafies në shtëpinë e perëndisë. sb"

berisha komenti


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)