TIRANE - Në ceremoninë e përurimit të qendrës së menaxhimit të trafikut rrugor të kryeqytetit kryeministri Berisha deklaroi se në Tiranë është përmirësuar cilësua e ajrit dhe për këtë i shprehu mirënjohje kryetarit të bashkisë Lulzim Basha.

“Zoti Basha dua të të falënderoj që e nxore Tiranën nga harta e qyteteve lartësisht kancerogjene”- tha Berisha

Kryeministri përforcoi mbështetjen e tij ndaj kryetarit Basha për ndryshimin e projektit të sheshit “Skënderbej” që po zbatohej prej dy vitesh nga ish kryetari i Bashkisë Edi Ramës, duke shkaktuar një dëm që llogaritej deri në 5 milionë euro.

“Ndotja e ajrit në kryesisht tek sheshi "Skënderbej"  dhe te "21 Dhjetori" tejkalonte 2-3 herë çdo lloj limiti dhe kalonte në nivelet e rrezikut dhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më. Këto aparatura tregojnë se qytetarët e këtij qyteti thithin ajër të atyre normave njëlloj si në qytetet miqësore ndaj mjedisit.  Përgëzoi kryetarin e bashkisë për inisiativën Tirana një qytet i shëndetshëm. Ju transformuat sheshin “Skënderbej”. Qytetarët e kanë pëlqyer shumë. Kritikët të cilët kanë dhe ata të drejtat e tyre sot janë më të bindur se kurrë në historinë e tij se sheshi nuk ka qenë më njerëzor pas atij transforimi të shpejtë që i bëri kryetari.”- tha Berisha.

PROJEKTI I SHESHIT SKENDERBEJ

Ndryshimi i projektit të sheshit “Skënderbej”, që po zbatohej prej dy vitesh, nisi pas marrjes së drejtimit të bashkisë nga e PD-së dhe fitores në gjykatë të Bashës, si kryetar i bashkisë së Tiranës, në vend të Edi Ramës. Devijimi nga projekti që e bënte sheshin “Skënderbej” nga një zonë pedonale, në zonë me trafik të dendur makinash siç është kthyer sërish, shkaktoi debat të ashpër publik, ndërsa të majtët në këshillin bashkiak të Tiranës kërkuan nga prokuroria e kryeqytetit që të ndiqen penalisht abuzuesit pasi, sipas tyre, duke filluar nga faza e projektimit dhe në vijim zbatimit të punimeve të fazës së parë të projektit, ishin investuar rreth 5 milionë euro. Këshilltarët bashkiakë paditën në prokurori por padia u pushua pasi sipas prokurorisë vendimi për ndryshimin e projektit ishte marrë kolegjial dhe jo vetëm nga Basha.

BERISHA: I DHASHE RAMES 21 MLN EURO PER SHKOLLA, POR S'NDERTOI ASNJE
Kryeministri Berisha akuzoi Ramën se në kohën që ishte kryetar i bashkisë abuzoi me fondet që qeveria dha për ndërtimin e shkollave.
“Dhamë 21 milionë euro për shkolla, por shkollat s’u ndërtuan kurrë se i hëngrin pallatet, kjo kohë është e shkuar. “- tha Berisha duke shtuar se ”Nuk mund të imagjinoja të injoroja domosdoshmërinë jetike të investimeve në kryqendrën e Shqipërisë.”

BERISHA: RAMA PENGOI UNAZEN E MADHE
Kreu i qeverisë gjithashtu falenderoi edhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cilas sipas kreut të qeverisë “është një nga institucionet e para që konstantonte problematikën e madhe dhe jepte ndihmën e saj për qytetin”. “BERZH bëri çdo përpjekje për Unazën e Madhe, por bashkia nuk pranoi kurrë. Banka kërkoi një komitet të përbashkët. Më erdhën në zyrë. A do ta pranoni ju? Plotësisht u përgjigja. U refuzua nga bashkia. Pse? Sepse për çdo gjë thotë populli, ku fle lepuri, lepuri fle tek Koço. Se po u thirr një komitet do të kishte bërë transparencën. Kjo është e vërteta. Bashkia po bën ndryshime të mëdha. Ka hapur punime të mëdha. Por sërish jam këtu t’iu them se ne kemi trefishur buxhetin për Bashkinë e Tiranës”, tha Berisha.


Për kryeministrin “Basha shpalli një vizion të ri për Tiranën, vizionin e PD-së." Ai premtoi se do vazhdojë të mbështesë cdo projekt të madh në kryeqytet.
“Tirana është ëndrra e cdo shqiptari ku jeton. Këtë vit nis jetë Tirana e shekullit të 21-të me bulevardin e madh. Me sistemin e tramvajit Tirana do listohet krahas simotrave europiane”

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)