TIRANË- Teksa shtatori po afrohet dhe pritet të krijohet parlamenti i ri, Sali Berisha vijon të përsërisë se nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga mandati i fituar në zgjedhjet e 25 prillit, edhe pse një vendim i tillë dëmton PD-në, partinë që e themeloi vetë. Në një kohë që SHBA-ja është e prerë në kërkesën e saj që ai të mos jetë më përfaqësues i popullit në Kuvend, pasi e cilëson si minues të demokracisë, ish-kryeministri, i shpallur Non-Grata, duket se vijon me përpjekjet e tij për të bindur shqiptarët dhe ndërkombëtarët se vendi i tij është në Parlament.

Sot, ai ka zgjedhur që t'u përçojë një mesazh SHBA-ve, pikërisht me deklaratën e tij të para disa viteve duke thënë "se ai është Sali Berisha dhe nuk tërhiqet", ku përdor edhe një fjalor aspak të hijshëm për një deputet, me etiketime si "çakenj, budallenj, plehra", që duket se vijnë për ata që i kërkojnë të largohet, mes tyre edhe ambasadorja Yuri Kim.  

" Jam Sali Berisha o budallenj, nuk tërhiqem unë o budallenj, jam Sali Berisha, o çakej, që flisni si çakej, e dini si më dukekeni  mua, plehra më dukeni, se të tillë jeni, para interesit kombëtar nuk njoh askënd tjetër, s'njoh asgjë unë", ka deklaruar Berisha.

Ishte data 30 korrik, kur diplomatja Yuri Kim pas një takimi me kreun e PD-së, Lulzim Basha në selinë blu, ia bëri të qartë se SHBA-të nuk e duan në shtator Sali Berishën në Kuvend. Diplomatja amerikane i kërkoi Lulzim Bashës që të distancohet nga Sali Berisha dhe këtë mesazh pas takimit mbi 1orë, ndonëse e artikuloi në gjuhën angleze, e tha në mënyrën më 'shqiptarçe', duke iu referuar një shprehje të periudhës së komunizmit. “Një parti nuk mund të 'hajë bar' për hir të një deputeti”, tha Kim, referuar shprehjes së thënë në komunizëm “edhe bar do hamë dhe nuk do i përkulemi armikut”. Në një kohë kur SHBA i kërkon të distancohet, Basha ka zgjedhur që të heshtë.

Kur u shpall Sali Berisha 'Non Grata'?
Në 19 maj 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi se kishe firmosur fundin palavdishëm të Sali Berishës, duke e futur në listën e zezë, bashkë me familjen, për korrupsionin të rëndësishëm, përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar, mbrojtjen e vetes, familjes dhe aleatëve në afera nga veprimi i drejtësisë si dhe për minim të demokracisë në Shqipëri. Sali Berisha lëvizi me shpejtësi duke tentuar të mjegullonte, të manipulonte dhe zbuste forcën e goditjes nga SHBA, duke e personalizuar vendimin si një akt i Antony Blinken dhe akuzuar Sorosin si lobues i vendimit të DASH. Berisha nisi edhe një fushatë lobimi në SHBA, për të sulmuar vendimin e shpalljes "Non Grata".

Postimi i ish-kryeministrit Sali Berisha