TIRANE- Kryeministri Berisha komenton në facebook darkën që ish ministri i Financave Anastas Angjeli, aktualisht sekretar për Ekonominë e Financën i PS shtroi në Sheraton ditën e emrit të tij. Duke e teguar si një rrëfenjëz Berisha shkruan se darka ishte tepër e shtrenjtë dhe Caci është ndjerë keq kur nuk ka marrë elozhet  e kryetarit të PS dhe kur  Rama ka komentuar se gjysma e tij më e mirë ishte pikërisht zonja Basha.

"Një rrefenjëz për darkën e ngrirë! Kështu e quajtën mediat në gazetën e gossip-it të tyre të kafeneve të kryeqytetit, darkën që Sekretari për Ekonominë e Financën i PS Anastas Angjeli (Caci) shtroi në Sheraton ditën e emrit të tij, që për shpenzimet e të ftuarit mund të quhej dasma e emrit! Caci priti me padurim e emocion elozhet e kryetarit të tij z.Rama.

 Pas pak kohe z.Rama u ngrit falenderoi me përzemërsi Cacin për ftesën e ndër të tjera tha të dashur miq: Unë kam fatin e madh të mësoj, të këshillohem e të frymëzohem çdo ditë për çështjet madhore të ekonomisë e financave në këtë kohë krize rrënuese, nga një personalitet i shquar, i rrallë, me njohuri të nivelit më të lartë në këto fusha.

Të gjithë sytë e të ftuarve ishin drejtuar si prozhektor te Caci! Vetë atij i vërshoi adrenalina nga rrënjet e flokëve te gishtërinjtë e këmbëve. Ai po përjetonte një gjendje më shumë se ekstaze që s'e kishte provuar kurrë më parë. Papritmas gjithçka në qenien e tij ngriu, ngrinë dhe krushqit, kamarieret, sazet e darka, përveç gotës së dollisë që se si ra nga dora e u bë copa në momentin kur shefi i tij tha se personi apo gjeniu në fjalë ishte gjysma e tij më e mirë, pikërisht zonja Basha", shkruan Berisha në facebook.

Sali berisha
(sg/shqiptarja.com)