“Ne Mynih, në Konferencën e 49 për Sigurinë, çështja e parë që u debatua ishte kriza ekonomike e Eurozonës. Ministri i Financave të Gjermanisë, Z. Schauble theksoi se borxhet publike mbi dyfishin e GDP-së janë problematike. Debati, por dhe diskutimet me zyrtarë dhe ekspertë të shquar, ishin shumë vlerësuese dhe inkurajuese për ekonominë tonë.”-shkruan Kryeministri.
Më tej Berisha thekson se “bazuar ne sa me sipër del se borxhi i Shqipërisë prej 60% te GDP-se është jashtë çdo problemi serioz. Sikundër, vendimet e fundit te qeverise si heqja e TVSH për makineritë, heqja e tatimit mbi te ardhurat personale dhe përdorimi i dividendit për krijimin e kompanive te biznesit social, janë reformat më të rëndësishme që do të bëjnë shumë më konkurruese ekonominë tonë, do të nxisin investimet direket, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”
Konferenca e Mynihut është një event i përvitshëm me rëndësi globale në fushën e politikës së sigurisë, e cila që nga viti 1962, angazhon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, të mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias në një diskutim të gjerë mbi çështjet kryesore të sigurisë të kohës sonë dhe sfidat potenciale në të ardhshmen.
Në sesione të veçanta të saj, Konferenca do të adresojë pikëpamje mbi të ardhmen e bashkëpunimit të komunitetit euro-atlantik të sigurisë, kriza në Zonën Euro dhe e ardhmja e Bashkimit Europian, roli i fuqive në rritje për sigurinë ndërkombëtare, siguria dhe stabiliteti në Europën Juglindore dhe Kaukaz dhe çështje aktuale të sigurisë globale si kriza në Siri dhe Mali, energjia, siguria kibernetike.
Konferenca drejtohet nga Wolfgang Ischinger dhe në të pritet të marrin pjesë Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph Biden, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme e Politikën e Sigurisë së Bashkimit Europian, Baronesha Catherine Ashton, Zëvendëssekretari amerina i Shtetit William Burns, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Lamberto Zannier, si dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe mbi 70 delegacione qeveritare, si dhe drejtues të korporatave të mëdha dhe përfaqësues të medias.
(sg/shqiptarja.com)