TIRANE – Ngjarja e rëndë tronditëse e vrasjes së vogëlushit, Julian Çela dhe tentativa për vrasjen e një të mituri tjetër nga një pedofil ka vënë në lëvizje Këshillin e Ministrave duke sjellë në tryezën e kabinetit qeveritar një paketë ligjore për ashpërsimin e masave deri në sterilizim kimik të këtyre kategorive.

"Pedofilia duhet të marrë ndëshkimet më madhore, por edhe ata që nuk qëndrojnë dot duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Janë jo në vitin 900 , por 2-3 vjet më parë janë propozuar metoda shumë të veçanta qëndrimi ndaj pedofilëve deri në sterilizimin e tyre kimik, çka e vërteta është se ne edhe ne këtë paketë do të shprehim të gjithë qëndrimet, por masa ndaj dhunës dhe krimeve të shëmtuara ndaj fëmijëve do të njohin një rreptësi shumë më të madhe", tha shefi i mazhorancës në fjalën mbajtur gjatë mbledhjes së qeverisë.

I nxitur nga ngjarja e cila ka tronditur opinionin publik shqiptar e pedofilit vrasës, Ardian Prenjasi, Berisha këmbënguli në faktin që zbulueshmëria ndaj krimit është në shkallët më të larta, edhe pse monstra e Laprakës zhvillonte aktivitetin e tij kriminal nën hundën e drejtësisë, pasi “ia kishte hedhur’ në vitin 2008 vetëm me një gjobë për akuzën e një të mituri.

Duke ju referuar aktit monstruoz, kreu i qeverisë ka sqaruar se nuk mund të rikthehet dënimi me vdekje pasi kjo do të ishte në kundërshtim me direktivat europiane , familje kjo në të cilën Shqipëria synon të bëhet pjesë ndërsa shtoi se ky dënim nuk e ul numrin e kriminalitetit në vend.

“Zëra të shumtë kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Mirepo Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës, dhe heqja e dënimit me vdekje është një kusht për anëtaresimin në këto institucione. Asnjë nga vendet anëtare nuk ka dënimin me vdekje”, nënvizoi Kryeministri.

Kreu i ekzekutivit u ndal në këtë mbledhje edhe tek deklaratat e ndryshme që janë bërë post ngjarjes tragjike ku bëhet përgjegjëse policia dhe institucionet e drejtësisë. Sipas Berishës janë të.

“Dy fjalë duhet t’u them atyre që duke mos pasur asnjë nocion për shtetin ligjor deklarojnë si tellallër se mori fund shoqëria mori fund shteti. Këto janë deklarata të papërgjegjshme të cilat kanë për bazë ose mllefe, ose injorancën. Një shtet i cili ka shkallën më të lartë të zbulimit, të ndëshkimit në përputhje me ligjin dëshmon para qytetarëve se ligji funksionon. Nuk them se funksionon në mënyrë të përsosur nuk them se nuk ka punonjës që nuk duhen vënë para ligjit për moszbatimin tij, por organet e policisë kanë sot një nga shkallët më të larta të zbulimit dhe të ndalimit”, tha Berisha.

Në përfundim të fjalës së tij mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha tha se “fakti që ne sot sjellim një paketë ligjore e cila shkëput Kodin Penal dhe Civil nga disa praktika më të buta të mëparshme, dëshmon se reformat po ecin”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)