TIRANE - Kryeministri Berisha është takuar sot me gjimnazistët e Fierit në një format të pazakonshmëm, të quajtur "town-hall". Të rinjtë nga i gjithë vendi kanë postuar pyetjet e tyre për Kryeministrin  në "You tube" dhe pyetjet që kanë marrë numrin më të madh të votave, i janë transmetuar sot atij për t'i dhënë përgjigje.  Në fjalën e kreut të qeverisë ka spikatur premtimi për ofrimin nga qeveria, të minikredive për të rinjtë, për arsimim dhe hapjen e bizneseve të vogla, veçanrisht për të rinjtë e familjeve të varfra, që nuk plotësojnë kushtet për t'i marrë kreditë në banka.

"Sot unë çel një seri takimesh me të rinjtë", - vuri në dukje Berisha. - "Në fakt, nga 8 dhjetori e deri sot, të rinjtë janë ata që kam takuar e do të takoj më shumë. Por këto 10 ditë do bashkëbisedoj për problematikën e të rinjve shqiptarë. Akoma kemi shumë për të bërë në fushën e arsimit, sikurse kemi shumë për të bërë për përshtatjen e cilësisë së shkollave të larta me tregun e punës.

Në politikën tonë, pak vite më parë, shpallëm projektin "Shqipëria dixhitale", ku heroi i ditës ishte i riu dhe nuk gabova. Ne jemi kombi më i ri në Europë dhe kemi çdo mundësi për të kaluar nga prapambetja e madhe ku ishim. Vetëm 4.5% e të rinjve e njihin internetin, ndërsa sot nëse ju klikoni në statistikën e "Facebook"-ut do gjeni Shqipërinë në vendet e para dhe 15% prej jush, janë miqtë e mi në Fb.

Unë di që ju mundonte shumë çmimi i telefonisë celulare, që janë ulur 3-5 herë pa llogaritur ofertat. Kjo është bërë me reforma. Së shpejti, ju do keni në celular 4G. Një gjë ju garantoj: sa të jetë kjo qeveri në pushtet, do bëjë çmos të ulë çmimin e internetit, sepse interneti është njohuri.

Këto përsëri nuk janë të mjaftueshme. Ju kërkoni punë; pas diplomës që morët, ju duhet punë. Ne morëm një vendim unik, pagesën nga shteti të sigurimeve shoqërore për tre vjet për këdo që punëson të rinjtë. Përsa i përket punësimit, po mendojmë edhe mikro-kreditë për të rinjtë, që duan të hapin biznese për vete. Bashkia e Tiranës i ka miratuar të parat. Mos harroni se kemi një krizë ndërkombëtare, por Shqipëria nuk ra në recension, ndaj dhe Komisioni Europian theksoi se Shqipëria pati një rritje ekonomike 4 herë më të madhe se vendet e rajonit, se i rezistoi krizës dhe ekonomia dëshmoi një elasticitet shumë të madh.

Shqipëria nuk është ende vend i zhvilluar,por ka disa tregues të barabartë me disa prej vendeve të zhvilluara. Dëgjova disa ditë më parë kryetarin e opozitës të inatosur për jetëgjatësinë e popullsisë,që gënjente sepse Shqipëria ka jetëgjatësinë më të lartë se 9 vende anëtare të BE-së.
Tani unë pres pyetjet tuaja", - tha kreu i Qeverisë. 

Cila është perspektiva e arsimit universitar për mandatin e ardhshëm?

Mandati i ardhshëm do të jetë ai i përqëndrimit final në arsim. Ne do të vendosim sistemin e kreditimit me garanci nga qeveria që ata të mund të të përballojnë këstet pa iu bërë barrë familjes si dhe sistemin e bonuseve. Do ta shtrojmë këtë në të gjitha shkollat publike dhe private të vendit. Një nga prookupimet e mia të mëdha është të mos përjashtojmë qytetarët shqiptarë, se të varfrit përjashtohen shumë lehtë dhe fëmijët e tyre janë të përjashtuar nga sistemi konvencional bankar. Për ta do hapim sistemin bankar pa kolateral. Këto dy çështje do zgjidhim ne dhe jam i bindur se sistemi do të kapë cilësinë më të lartë se katër vitet që shkuan.

Cila është perspektiva jonë për punësim në administratën publike?

Përveç arsimit, që është i domosdoshëm, kemi hapjen e një sërë kantiereve të reja në të gjithë vendin për të hapur 250 mijë vende pune në katër vjetët që vijnë, ku përfitues do jenë të rinjtë shqiptarë .

Jam student nga Vlora. Si do veprohet për punësimin e të sapodiplomuarve?


Potencialet e punësimit janë të shumta, kurse ato të Vlorës janë ndofta sa të gjithë Shqipërisë se Vlora ka një kompleks natyror ndër më të rrallët në planet. Nëse akoma nuk ka ardhur në skenën e tregut botëror, po bëjmë gjithçka për ta vendosur aty se aty mund të punësohen dhjetra mijë të shkolluar. Vlora ka një avantazh tjetër të madh natyror, ka ujërat më të thella në rajon që e bën atë vendin më të përshtatshëm për portin më të madh të kontenierëve, projekt që u fillua, por që kriza e madhe financiare e ka shtyrë e besoj se nuk do hiqet kurrë nga rendi i ditës. Vlora ka potencial të madh edhe në prodhimin e ullinjve. Berati është më i madhi, por Vlora ka një potencial të shkëlqyer. Edhe parku industrial që kanë ndërtuar vetë biznesmenët është një mundësi.

Po për paga më të larta, a mund të flitet?

Ne i rrisim pagat në administratë, sepse nuk duam të na shkretohet si dhe udhëheqim pagat në sektorin privat. Diferenca në paga midis burrave dhe grave ishte 36% në favor të burrave në 2005-ën, sepse ata ishin më së shumti sheaf ekzekutivë të sipërmarrjeve. Ne bëmë një lëvizje shumë të goditur: përcaktuam dy grupet më të mëdha të administratës ku femrat ishin shumicë: në arsim dhe në shëndetësi, mësuesit dhe infermierët. Diferenca e pagave zbriti në 17.7% ndërkohë që disa vende të BE-së e kanë më të lartë se aq, po ne do vazhdojmë ta rrisim atë.

Cila do jetë ndihma konkrete për inovacion në fushën e tekologjisë së lartë?

"Infosoft" ka filluar të krijojë laboratorin e parë me studentë, që punonin në fushën e softeve. Ata sugjeruan që qeveria të mbështesë edhe kompani të tjera të ICT-së.  Veç kësaj po punojmë për krijimin e "Tirana ICT Park" ku do punësohen mijëra të rinj.

Si do t’i ktheni të rinjtë për të kontribuar në vendin e tyre?

Ne kemi një project për kthimin e trurit, që bën të mundur një zbarkim të butë të të gjithë të diplomuarve, të graduarve nga gjithë vendi. Ne po bëjmë gjithçka për të bërë edhe lidhjet “online” të këtyre personaliteteve që punojnë në institucionet më të famshme të botës. Me anë të inovacionit të teknologjisë dhe zgjerimit të stafeve akademike po bëjmë çmos për kthimin e tyre. Kudo që janë, ata janë krenari për ne.

Po në lidhje me tarifat e shkollimit, ç’mund të thoni?

Pasioni i këtyre njerëzve për të rritur tarifat, do kapte qiellin po të mos ishte Kryeministri. Kushtet e tregut janë kushtet e tregut, por e gjithë administrate akademike, ka përpjekje për të rritur tarifat. Unë e di që në gjithë botën tarifat janë të larta, por tani për tani le të presin.

A duhet të vlerësohet më shumë lënda e karrierës?

Lënda e karrierët është pjesë e kurrikulës në programin tonë të ri. Një nga problemet e shkollës është mbingarkesa e nxënësve. Mania për t’i mbingarkuar është e dukshme. Shkollën duhet ta bazojmëmbi gjuhën shqipe dhe matematikën, lëndët e tjera t’i bëjmë më të thjeshta. Të them të vërtetën, për profilin tim, a më është dashur mua ndonjëherë mua “stronciumi”?!

E tani në fund, po ju them që gjatë jetës sime kam shkarkuar qindra këngë të preferuara nga "You tube", por ky është komunikimi im i parë i kësaj natyre", - përfundoi Kryeministri.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)