Berisha tha se buxheti “do të jetë më i madhi në historinë e shtetit shqiptar, por dhe portofol i dytë shtesë i çdo qytetari. dhe kap shifrën e 400 miliardë lekëve.
"Buxheti i vitit 2013 është buxhet i cili tejkalon ndjeshëm buxhetin e vitit që shkoi. Ai kap shifrën e mbi 400 miliard lekëve dhe kjo përbën një arritje madhore në historinë e këtij vendi. Kjo është dëshmi e performancës dhe e funksionimit të modelit ekonomik të kësaj mazhorance, suksesit të reformave në këtë fushë. Kjo është dëshmi e faktit se kjo ekonomi e vogël por dinamike po i reziston krizës më të madhe që kontinenti ka njohur në 80 vitet e fundit në rrafshin ekonomik dhe financiar "- tha Berisha.
Ai premtoi se do të ketë rritje të rrogave dhe pensioneve, por dhe investime në infrastrukturën më moderne. “Destinacionin e parë dhe jetik është rritja e rrogave dhe pensioneve. Ky është një zotim solemn i kësaj mazhoranca dhe do të ndodhë siç ka ndodhur cdo vit. Do realizohet një rritje që do të kalojë në mënyrë të fuqishme inflacionin dhe indeksin e çmimeve.”- tha Berisha duke premtuar se filozofia e kësaj rritjeje do të jetë ngushtimi diferencave mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale.
“Do rriten rrogat e punonjësve të administratës. Rritje do të ketë në sektorë të caktuar në përputhje me vështirësitë e tyre. Nëse në 2006 për shkak të trashëgimnisë së 8 viteve të mëparshme, rroga e kryeministrit ishte e barabartë me 9 rroga arsimtarësh sot është e barabartë me 4. 5 rroga, dhe me shtesat që bëjmë kjo distancë zvogëlohet edhe më shumë.”- tha Berisha.
BERISHA: FERMERET S'KANE NEVOJE TE LEDHATOJNE KERRICIN
Kryeministri premtoi se në buxhet nuk do të mungojë mbështetja për fermerët dhe sektorin e bujqësisë e agrobiznesit. Shefi i qeverisë akuzoi krryesocialistin Edi Rama se zgjedh të vizitojë ato ferma që kanë borxhe ndaj shtetit për kredi të moskthyera, ku premton faljen e borxhit në këmbim të votës dhe komentoi sërish foton e kreut të PS-se gjatë një takimi me fshatarët Maminas.
“Fermerët nuk kanë nevojë për të ledhatuar kërriçin e kecin. I ledhatojnë vetë ato, ato duan mbështetje. Arta i ngatërronte me kaproj. I duhen dhitë si kaproj, jo moj shoqe janë dhi race.”- tha Berisha
BERISHA RAMES: VOTO REFORMAT SE DO NDESHKOHESH NE ZGJEDHJE
Berisha përsëriti thirrjen ndaj Ramës për të votuar 3 ligjet e kërkuara nga KE, duke mbajtur në këtë mënyrë dhe premtimin e dhënë në vjeshtë të 2011.“Ligjet janë në parlament. Asgjë më të rëndësishme nuk ka për politikanë se mbajtja e fjalës që e dha publikisht. Premtimi i Ramës në vjeshtën e vitit 2011 se ai do të votonte të gjitha reformat që kërkohen në procesin e integrimit ishte një lajm i mirë. Mbk këtë premtim u votua reforma elektorale, ndryshimet në kode. Unë e garantoj Ramën se kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk do të votojnë bllokimin. Nuk ka zgjedhës më të mençur në botë se shqiptarët. Ata kanë vuajtjen si eksperiencë dhe ajo i ka bërë të jenë shumë të vëmendshëm. Të vlerësojnë sa më saktë, ndaj të besosh se do dëmtosh qeverinë duke bllokuar gabon rëndë. Gjuan veten tëndë. Sigurisht që qeveria dëmtohet por dëmtohen dhe qytetarët.”- tha Berisha.
(sg/shqiptarja.com)