TIRANE- Kryeministri Berisha hedh poshtë akuzat e kryetarit të PS-së se qeveria po i vjedh programin duke ironizuar se librin e dytë pas atij “Kurbani” do ta titullojë “Vjedhja”

“Jam i sigurtë që nesër zoti Rama do të thotë na e vodhën, na e vodhën dhe TAP dhe Kaskadën e Devollit. Keni për të parë që do të publikojë dhe librin “Vjedhja”. Rama pas “Kurbanit” kalon tek “Vjedhja’. Tmerr i pafund është se mund të gënjejë veten e tij. I kanë vjedhur në fabrikën e mendimit të zotit Rama,. Por përsëri e këshilloj ose të marrë statistikat zyrtare ose të zgjedhë këshilltarë jo si Pjerin Ndreu që i thotë rrogat aktuale ato të 2005”- tha Berisha në mbledhjen e qeverisë.

AKUZAT E RAMES PER SHENDETESINE NIHILIZEM

Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë dhe akuzat e kryetarit të opozitës ndaj sistemit shëndetësor në vend, duke e konsideruar fushatën e tij si 'nihiliste' dhe 'qesharake'. Kryeministri u ndal tek deklaratat e Ramës për shërbimin e hemodializës në vend, duke vërejtur se kreu i opozitës nuk është i informuar për këtë.

"Kur u flet shqiptarëve ai duhet t'u thotë të vërteta dhe jo të flasë si një piktor i dështuar. Kur një person është publik ai nuk duhet të shfrytëzojë mediat, pasi kjo nuk është serioze. Çdo njeri ka vlera, por nihilizmi është doktrinë e atyre që kanë shikim dhe nuk shikojnë dhe e atyre që kanë mendje dhe nuk arësyetojnë", tha Berisha
Duke folur për të sëmurët me hemodializë, kryeministri theksoi se në ndryshim nga viti 1998, kur dëmtimi i funksionimit të veshkave ishte "si një dënim me vdekje" për të sëmurët në Shqipëri, sot shqiptarët e kanë të garantuar këtë shërbim.
"Në vitin 2009, në spitalin "Nënë Tereza" u hap qendra e hemodializës për fëmijë, ndërsa nga viti 2010 ajo funksionon dhe për gjithë të sëmurët me hemodializë, të cilëve iu garantohet një substancë e një rëndësie të jashtëzakonshme, që kushton diku te 500 dollarë në muaj dhe u shpërndahet të sëmurëve edhe në rrethet ku janë", tha Berisha.

Por, sipas kryeministrit deklaratat e Ramës se çmimet për trajtimin e të sëmurëve me hemodializë në Shqipëri janë dy herë më të larta se sa çmimet jashtë saj, "janë qesharake dhe të një njeriu që nuk jeton në Shqipëri dhe as në Europë". "Në Shqipëri, në sektorin privat çmimi i saj është 85-90 euro me gjithë TVSH, në Francë 170 euro, në Bashkimin Europian 140 euro, në Hungari 98 euro, në Çeki 120 euro, Britani 180 euro, etj. E këshilloj Ramën të marrë informacionet e duhura për këtë", nënvizoi Berisha.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)