ROME, Itali - Ashtu sikurse dhe ishte bërë e ditur kryeministri Berisha gjatë qëndrimit në Romë ka takuar për pak çaste kryeministrin grek Antonis Samaras. Berisha si dhe kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë duken së bashku pak para organizimit të një dreke në ambientet e vila Pamhili në Romë të organizuar nga kryeministri italian Mario Monti. Një takim i mundshëm Berisha-Samaras ishte kontestuar fuqishëm nga Aleanca Kuq e Zi.

Pamjet e takimit mes kryeministrave mes të cilëve dhe Berishës dhe Samaras i paraprinë drekës në vilën Pamphili. Në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë thuhet se “Berisha bisedoi me homologët e tij dhe ndau mendime në lidhje me zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri.

Kryeministri informoi bashkëbiseduesit në lidhje me reformat e ndërmarra nga qeveria e tij në fushën politike, ekonomike e sociale duke theksuar përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve të lëna nga Komisioni Evropian në kuadër të marrjes së statusit të vendit anëtar në BE.

Berisha i siguroi homologët e tij për vullnetin e palëkundur dhe angazhimin e plotë të tij dhe të qeverisë për të përmbushur të gjitha prioritetet e vëna nga Bashkimi Evropian dhe duke nënvizuar se ky integrim duhet të jetë i bazuar në meritë, përmbushja e këtyre prioriteteve është rruga më e mirë për konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, tregut dhe prosperitetit ekonomik të Shqipërisë.