Ish kryeministri, Sali Berisha gjatë një takimi me simpatizantët demokratë në Vlorë, ka deklaruar se 40% e vlonjatëve janë larguar nga vendi si pasojë e keqqeverisjes së 8 viteve të fundit. Ai bëri thirrje që të ketë reagim në mënyrë që të bëhet gjithçka për të dalë nga gjendja ku sipas tij ndodhet vendi.

“Në 8 vite 40% e vlonjatëve janë larguar, në 8 vite 35% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Po vazhduam kështu çdo mbetet, cila do jetë përgjegjësia jonë para vetes, fëmijëve tanë, por edhe para atyre që u sakrifikuan që ne të jemi kombi i lirë. Thirrja ime është të dalë nga kjo përgjume, të ngrihemi të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë. Vlora ka kapacitete edhe 5 herë më shumë se banorët e saj nga Sevasteri në Karaburun, Himarë etj”- tha Berisha.

Mes të tjerash, kreu i Rithemelimit, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar sheshin kryesor të Vlorës që ishte simboli i qytetit. Ai tha se rrugët e shtruara gjatë qeverisjes së Ramës, kanë kushtuar shumë herë më shumë sesa e kanë kostot reale që kanë pasur kur janë financuar nga bankat europiane.

“Kjo rrugë që keni ju, nga hyrja e Vlorës gjer në Levan, me gjithë urat mbi Vjosë është ndërtuar me 2.3 mln euro kilometri, me para të bankave europiane. Sa e ndërton rrugën në fushë Edi Rama, 24 mln euro kilometri. Greqia po ndërton autostradën Janinë-Kakavijë me 4 mln euro kilometrin, Edi Rama po ndërton rrugët anësore Lekaj-Fier, me 7.2 mln euro kilometri. Por këto janë para tuaja, që merren nga kafshata juaj, djersa juaj, e fermerëve, e punonjësve edhe e atyre që nuk punojmë se të gjithë paguajmë TVSH-në në ato që blejmë. Atëherë a mund të ecim ne në këtë rrugë të përgjumur? Jo kurrë, është në detyrimin tonë të ngrihemi”- u shpreh kreu i Rithemelimit.

Gjatë takimit me simpatiztët demokratë në Vlorë, Berisha prezantoi kandidatin e Rithemelimit, Hysni Sharra që do të garojë për kreun e bashkisë në zgjedhjet vendore të 14 majit.