TIRANE- Nga qyteti i Vlorës, 100 vjet pas krijimit të qeverisë së parë shqiptare, kryeministri Sali Berisha, foli sot qartë për një bashkim kombëtar përmes nënshtetësisë shqiptare, dhe rrëzimit të murit që i ndajnë ato. Në këtë mënyrë- thotë Berisha- shqiptarëve po i kthehet një e drejtë që i është mohuar 100-vjet dhe mposht albanofobia.

"Bashkimi kombëtar mposht albanofobinë"-  tha Berisha sot në mbledhjen e qeverisë e cila u mbajt në muzeun e Vlorës në nderim të 100-vjetorit të krijimit të qeverisë së parë shqiptare me në krye Ismail Qemalin.

Kryeministri Berisha paralajmëroi dërgimin në Parlament të ligjit për nënshtetësinë shqiptare. Kjo është nisma e qeverisë që ndërmerret pas 100 vjetorit të Pavarësisë dhe do të pasohet dhe me unifikimin e sistemit arsimor në trevat shqiptare të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, unifikimin e doganave me Kosovën, dhe më vonë me të drejtën e votës për çdo emigrant  që jeton jashtë.

Mbledhja e qeverisë u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, sidomos dhe për shkak të protestës së aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi.  Ndërsa Kryeministri Sali Berisha zhvillonte mbledhjen, aktivistët e AK protestuan para muzeut të Vlorës. RENEA ndërhyri, duke shoqëruar disa aktivistë në polici si dhe duke i larguar aktivistët nga Sheshi "Pavarësia", para shtëpisë së flamurit, ku zhvillohej mbledhja e qeverisë
 
BERISHA: NENSHTETESI SHQIPTARE PER SHQIPTARET KUDO QE NDODHEN
Në kuadër të 100 vjetorit Berisha tha se përparësi do të jetë dërgimi në Parlament i një ligji i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare të çdo shqiptari kudo që ndodhen.

"Ky është mesazhi i 100-vjetorit. Dorëzimi me përparësi në Parlament i ligjit që përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar që aplikon përtej Shqipërisë kudo që ndodhet. Ai që do të marrë nënshtetësinë shqiptare, do ta marrë”- tha Berisha, duke i kërkuar ministrit të Brendshëm të hartojë sa më parë ligjin.
 
“Ministria e Brendshme të marrë masa nëpërmjet konsultave e zyrave konsullore të krijojë mundësinë e aplikimit për shtetësi. Mninistri të sjellë ligjin në qeveri dhe ftoj opozitën të votojë në Parlament”- tha Berisha.

Duke e cilësuar një ngadhënjim për idealin e flamurin, Kryeministri kërkoi dhe mirëkuptimin e ndërkombëtarëve dhe të vendeve fqinje. “Kërkojmë mirëkuptimin dhe garantojmë se do ta respektojmë me seriozet më të madh. Ne po i rikthejmë një të drejtë që kanë luftuar dhe që i është mohuar 100-vjet. Kombi është një, çdo shqiptar e meriton shtetësinë shqiptare.” tha Berisha.

BERISHA: BASHKIMI KOMBETAR MPOSHT ALBANOFOBINE

Kryeministri kritikoi vendet fqinje, Serbi e Maqedoni për festimin e Betejës së Kumanovës,  e cila u shënua më 23 dhe 24 tetor të vitit 1912 dhe është fillimi i masakrave ndaj popullit shqiptar dhe spastrimi etnik i territoreve. Berisha tha se duhet të marrim të gjitha masat që shqiptarët të ndihen një dhe të rrrëzojmë murin.

"Nuk mundet që në këtë kuadër mes shqiptarëve të ekzistojnë standarde më të vjetra se ato që ekzsitojnë mes vendeve të BE-së. Prandaj duhet të bëjmë gjithçka. Jemi të detyruar të marrim të gjitha masat që shqiptarët të ndihen një,që të rrrëzojmë murin se mur po e cuaj. Natyrisht dy administrata. Unë kërkoj mirëkuptimin dhe të fqinjëve por dhe të faktorit ndërkombëtar. Albanofobia do zhduket vetëm nëpërmjet një procesi të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk mund të zhduket nëpërmjet status kuove që e thellojnë gjithnjë e më shumë albanofoninë. Unë jam dëshmitar i kësaj. U festua beteja e Kumanovës. Çfarë është beteja e Kumanovës, është fillimi i gjenocidit të shqiptarëve.  Dhe kur i kërkoj mikut tim pse ndodhi kjo thotë: Ajo është histori. Si qenka histori kur hordhitë serbe vërshuan mbi shqiptarët dhe shqiptarët numërojnë, nga ato hordhi, me dhjetra mijëra të vdekur, atëherë urdhëro të festojmë dhe betejat naziste të cilat janë shfarosur. Pse ky qëndrim. kaq gjentelmen ndaj historisë së vuajtjeve ndaj shqitparëve. Albanofobia është përgjigjja, ndaj dhe ne kërkojmë mirëkuptimin e miqve, garantojmë që do të respektojmë me seriozitetin më të madh. Ne jemi një komb i vendosur për paqe dhe stabiliteti. Kaluam 100 vite me konflikte pushtime diktatura ne duam 1000 vite paq. Ky është qëndrimi ynë për paqe që bazohet në parimet më të larta njerëzore. Nuk mundet që të jetohet me frikë ndaj shqiptarëve në një kohë që nuk ka një varr të vetëm në trojet e tjera ndërsa tokat e tyre janë të mbushur me varreza."- tha Berisha.

UNIFIKIM TE SISTEMIT ARSIMOR
Në kuadër të 100 vjetorit Berisha foli dhe për një unifikim të sistemit arsimor në mënyrë që shqiptarët të mësojnë të vërteta të njëjta. “Sistemi arsimor zoti ministër është urgjente bashkëpunimi i ministrisë së Arsimit me atë të Maqedonisë, Malit të Zi e Kosovës që shqiptarët duhet të mësojnë të vërtetat njëlloj si në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup, Gostivar, ndaj dhe duhet të ecim. E vërteta e tyre është më e madhe.

Do bëjmë gjithçka dhe ftoj opozitën të votojmë ato tre ligje si dëshmi e përgjegjësisë ndaj këtij procesi të bashkohemi me njëri tjetrin dhe me Europën. Të mos bëhemi pengesë ne.

BASHKIMI DOGANOR I VESHTIRE
“Pas Luftës së Dytë Botërore u bë përpjekje që Shqipëria të ishte shtet i shtatë i ish Republikës jugosllave. Kjo ishte kërkesë e Titos. Ndodhi bashkimi i doganave. Unë po bëj luftën më të madhe për të bashkuar doganën me Kosovën se se bëj dot akoma, ndërkohë që ata e bënë me Titon.”- tha Berisha.

PAS ZGJEDHJEVE DISKUTOJME DHE VOTIMIN E EMIGRANTEVE

Kryeministri tha se ky ligj nuk duhet të shërbejë dhe ndikojë në zgjedhjet elektorale që do  të zhvillohen më 23 qershor 2013 dhe premtoi se pas tyre do të diskutohet dhe për përfshirjen e emigrantëve në procesin e votimit.  ”Kush e merr si vendim elektoral bën gabimin të madh. Kërkoj mirëkuptimin e bashkëkombësve. Zgjedhjet e qershorit janë të rëndësishme. Pas tyre bashkarisht do shikojmë si do zgjidhjet çëshja e votës.”- tha Berisha.

BERISHA: OPOZITA TE VOTOJE LIGJET

Kreu i ekzekutivit, shfrytëzoi rëndësinë historike që kishte mbledhja e mbajtur në vendin ku 100 vjet më parë u mbajt mbledhja e parë e kabinetit shqiptar, për ti bërë thirrje opozitës për bashkëpunim me qëllim bashkimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin si dhe bashkimin e Shqipërisë me familjen e madhe Evropiane.

BERISHA: MIRENJOHJE VLORES PER MIKEPRITJEN 

Në fillim të fjalës së tij Berisha shprehu mirënjohje për qytetarët e Vlorës dhe të Tiranës të cilët me bujarinë atdhetarinë dhe mikpritjen shndërruan 100 vjetorin e Pavarësisë në festën më të bukur dhe më të mëdha ndonjëherë në histori. "Tirana e Vlora nuk kanë patur një prani kaq masive qytetarësh të ardhur nga të gjitha trevat. “- tha Berisha duke shprehur miërnjohje dhe ndërkombëtarëve që erdhën në Tiranë për të festuar 100 vjetorin me shqiptarët.

“Kur u festua 25 vjetori, ka patur vetëm një 1 ministër i një vendi tjetër në festë. Kur u festua 50 vjetori në festë mori pjesë vetëm 1 ambasador. Kur u festua 75 vjetori, asnjë i huaj. Kur u festua 100 vjetori ishin 57 delegacione të ardhura”- tha Berisha. Ai shprehu mirënjohje dhe për forcat e rendit dhe për këngëtarët e njohur të skenës që morën pjesë në këto festime.

MBLEDHJA

Ministrat zunë vend pak para orës 10:00 në të njëjten zyrë ku u mblodh kabineti i parë qeveritar shqiptar. Mbledhja u drejtua nga Kryeministri Berisha, i cili zuri vend në krye të tryezës. Të parët që kanë mbërritur në Vlorë ka qenë grupi i sigurisë së Kryeministrisë, të cilët së bashku me Policinë e Vlorës krijuan planin e masave të sigurisë. Muzeu sot do qëndrojë i mbyllur për publikun, ndërsa masat e sigurisë në ndërtesë ishin  të larta. Mbledhja e sotme u zhvillua në katin e dytë të ndërtesës, pikërisht në dhomën e Këshillit të Ministrave, ku kryeministri Berisha do të jetë në vendin e Ismail Qemalit.

policia vlore

(në foto policë në një ndërtesë përballë shtëpisë së flamurit duke vëzhguar situatën)

(sg/shqiptarja.com)