Përmes një postimi në Facebook, Berisha shprehet se Byroja Kombeëtare e Hetimit do të jetë një institucion paralel me Prokurorinë e Përgjithshme, duke shtuar sipas tij se kjo nuk është asgjë më shumë se hetuesia e dyshes Rama-Meta.
Sipas tij, kjo është antikushtetuese, dhe nuk ekziston në asnjë vend të botës.
“Të dashur miq, Parlamenti i krimit votoi ditën e fundit të punimeve, apo ditën turpit te tij, ligjin për ngritjen, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, të ashtuquajturës Byro Kombëtare e Hetimit, që de facto është hetuesia e Partisë Socialiste, e cila do funksionojë si pushtet paralel i institucioneve kushtetuese të zbatimit të ligjit. Ky model nuk ekziston në asnjë vend të botës së lirë dhe sipas këtij ligji, kreu i ekzekutivit, në rastin konkret neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama, bëhet dhe kryehtues i Shqipërisë, duke i marrë kompetencën kushtetuese Prokurorit të Përgjithshëm të vendit. Ky ligj dhe ky model bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit, e cila në nenin 148 pika 1 sanksionon se: "Prokuroria ushtron ndjekjen penale si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit". Por tani e tutje hetimin do ta bëjë paralel dhe në kundërshtim me Kushtetutën edhe Byroja e Hetimit të PS, e cila do përfaqësojë akuzën në emër klikës Rama - Meta.” shprehet Berisha në Facebook.
Duke vijuar më tej, Berisha shprehet se pakënqësinë ndaj Presidentit dhe Prokurorit, kryeministri Rama po e shrpreh duke u marrë kompetencat. Ish-kryeministri nënvizon se qëllimi kryesor i Byrosë Kombëtare të Hetimit është mbrojtja dhe bllokimi i hetimeve të Prokurorisë për veprat kriminale që sipas tij i bëjnë dyshja Rama-Meta
Dy javë para votimit të këtij ligji, Rama deklaroi publikisht se ai nuk ishte i lumtur me Presidentin e Republikës dhe Prokurorin e Përgjithshëm prandaj dhe për t'u lumturuar po merr me ligj kompetencat e Presidentit dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, duke zëvendësuar Prokurorinë e Shtetit me Byronë Socialiste të Hetimit të varur prej tij. Gjatë diktaturës Hoxhiste, krahas Hetuesisë së Shtetit ishte dhe Hetuesia e Sigurimit të Shtetit e vendosur në Policinë e Partisë që bënte ligjin si pushtet paralel i Hetuesisë së Shtetit. Qëllimi i parë i ngritjes së Byrosë Socialiste të Hetimit është mbrojtja dhe bllokimi i hetimeve të Prokurorisë së Shtetit të trafikut të drogës, vrasjeve, grabitjes së pasurisë kombëtare nga Rama - Meta, rrethi i tyre i ngushtë, ministrat, deputetët, kupola mafioze e mazhorancës së sotme. Qëllimi i dytë, po kaq madhor, është goditja nëpërmjet Byrosë Socialiste të Hetimit të kundershtarëve politikë nga Rama - Meta si dhe drejtuesve të institucioneve që kërkojnë funksionimin e shtetit ligjor. "Rama IK" është përgjigja e vetme ndaj klikës në pushtet!!” përfundon Berisha
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)