TIRANE - Kryeministri Berisha priti sot paradite lordin anglez, sociologun prof. Anthony Giddens, të cilin e ka njohur me realitetin ekonomiko- financiar shqiptar të vendit, duke vënë theksin tek rëndësia që i jep qeveria shqiptare sektorit energjetik.

 “Ne,- tha Kryeministri Berisha, - presim një vendim shumë të rëndësishëm në muajin qershor, për të qenë gazsjellësi TAP, i cili kalon përmes Shqipërisë, fituesi për furnizimin e Evropës me gazin azer, çka do sillte në vend miliarda euro investime si edhe gazifikimin e Shqipërisë”.

Burimet zyrtare të Kryeministrisë bënë të ditur se lordi Anthony Giddens vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në këtë fushë, e cila, sipas tij, mbetet faktori kryesor për prosperitetin e një vendi. Ai tha se Shqipëria, krahas prodhimit duhet t’í kushtojë vëmendje përfshirjes në rrjetin evropian të energjisë. Profesor Anthony Giddens tha se Evropa duhet të rrisë vrullshëm investimet brenda vetes dhe Shqipëria si pjesë e saj, gjithashtu.

Kryeministri Berisha i bëri të njohur Lordit anglez lehtësirat për investitorët e huaj, sidomos të sektorit energjetik.

Kryeministri Berisha e uroi prof. Anthony Giddens për titullin “Honoris Causa” që iu dha atij nga nga universitet privat në Tiranë. Profesor Giddens i dhuroi Kryeministrit librin e tij “Pasojat e modernitetit” të përkthyer në shqip.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)