
Sali Berisha kishte autorizuar rojet e pallatit që të mos merrnin asnjë zarf që vinte në emër të tij. Detajin që konfirmon se Berisha refuzon të njihet edhe proceduralisht me fletëthirrjen për 21 janarin e vërteton vetë SPAK.
Në një reagim për Report Tv, Prokuroria e Posaçme konfirmon se edhe në urdhërthirrjen e parë të datës 3 nëntor, edhe atë të 7 nëntorit, marrja e tyre është refuzuar.
Në zarfin e kthyer mbrapsht të 3 nëntorit ishte mbishkrimi “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”. Pas këtij konstatimi, është dërguar fletëthirrja e dytë në të tre adresat dhe më datë 9 nëntor është refuzuar sërish marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa tre ditë më vonë me 12 nëntor grupi parlamentar i PD ka refuzuar marrjen në dorëzim të njoftimit. Dy ditë më herët, më datë 10 nëntor fletëthirrja i është dërguar vetë kreut të PD në adresën e emailit [email protected].
Prokuroria e Posaçme thotë se do të vijojë procedurat për thirrjen e Sali Berishës sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Reagimi i plotë i SPAK për Report TV
Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:
[email protected], më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Lajmi kryesor:
21 janari/ Berisha fshihet dhe nuk shkon të japë llogari! Lojë me fletëthirrjen, SPAK: E refuzoi dy herë! Nëse s'shkon herën e tretë, shoqërohet nga Policia












