Partia Demokratike bëri të ditur se CDI, organizata ndërkombëtare e partive të qendrës së djathtë, ka miratuar një deklaratë për situatën në Shqipëri, ku shpreh shqetësim për gjendjen e demokracisë dhe mbështetjen për protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Në deklaratën zyrtare të publikuar nga PD, CDI thekson se shqetësimi i saj mbështetet në raportet dhe vlerësimet e fundit ndërkombëtare. Organizata shpreh gjithashtu solidaritet me opozitën demokratike dhe me qytetarët shqiptarë që kanë dalë në protesta gjatë ditëve të fundit.
Po ashtu, në deklaratën e shpërndarë nga PD, Internacionalja Demokrate e Qendrës u bën thirrje autoriteteve shqiptare të angazhohen në një dialog të mirëfilltë demokratik, të zbatojnë plotësisht rekomandimet ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe të garantojnë kushte të barabarta për konkurrencën politike.
Kjo deklaratë e CDI-së, e shpërndarë nga PD, vjen pas mbledhjes së Asamblesë së përgjitshme të organizatës në Bruksel në 14 korrik, ku i pranishëm ishte edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u përpoq që të ‘nxinte’ sa më shumë Shqipërinë, përmes deklaratave dhe pretendimeve të tij utopike se Shqipëria është një narkoshtet.
Deklaratë e CDI-së për Situatën në Shqipëri, e shpërndarë nga PD:
Internacionalja Demokrate e Qendrës (CDI),
– Shpreh shqetësimin e saj të thellë për përkeqësimin e vazhdueshëm të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike në Shqipëri, siç pasqyrohet në raportet dhe vlerësimet e fundit ndërkombëtare.
– Shpreh solidaritetin e saj me opozitën demokratike dhe me mijëra qytetarë shqiptarë, veçanërisht me të rinjtë e shumtë, të cilët prej më shumë se 45 ditësh protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të demokracisë, transparencës, shtetit të së drejtës, mbrojtjes së mjedisit, të drejtës së pronës dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë.
– Rikonfirmon se e drejta për protestë paqësore, liria e shprehjes dhe pjesëmarrja politike janë liri themelore demokratike që duhet të respektohen dhe të mbrohen plotësisht.
– I bën thirrje autoriteteve shqiptare të angazhohen në një dialog të mirëfilltë demokratik, të zbatojnë plotësisht rekomandimet ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, të garantojnë kushte të barabarta për konkurrencën politike dhe të ndalin çdo formë intimidimi apo presioni ndaj protestuesve paqësorë, gazetarëve dhe shoqërisë civile.
– Rikonfirmon angazhimin e palëkundur të CDI-së për të mbështetur popullin shqiptar në përpjekjet e tij për demokraci, pluralizëm, shtetin e së drejtës dhe vlerat e CDI-së.
Komente










