Në Hungari opozita fitoi sepse qeveria e Viktor Orban nuk mbylli TikTok-un.
Kjo ishte përgjigjia që Sali Berisha i dha sot nga Bulverdi "Dëshmorët e Kombit", kritikëve të Partisë Demokratike, që thonë se kjo e fundit nuk ka fuqinë dhe aftësinë e opozitës hungareze, për të fituar në zgjedhje përballë qeverisë.
“Me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit dhe familjet e tyre, me diferencimin politik të tipit të një pushtuesi, me propagandën e tij toksike, ka instaluar një kohë si e etërve të tij të mëparshëm, frikën te shqiptarët, duke i kërcënuar ata me vendin e punës, me falimentimin e firmave, me kafshën e gojës. Kjo tregon se në Shqipëri ka vetëm një forcë që sot mbart jo vetëm idealet demokratike të mbarë shqiptarëve, por përfaqëson guximin shqiptar, ka vetëm një forcë që sot qëndron e pamposhtur, ka vetëm një forcë që sot ngrihet mbi frikën dhe dhunën, në betejë mbi interesat dhe dinjitetin e shqiptarëve, dhe kjo forcë është Partia Demokratike. Ndaj dhe unë, për mundin dhe sakrificën tuaj, për guximin dhe shpirtin e pamposhtur, por sidomos për shërbimin ndaj kombit në kohë të vështirë, kam falënderimin më të madh, nderimin më të sinqertë për ju, misionarë të vërtetë.
Të dashur miq, këtë javë banaliste, sahalëpirës, puthadorë të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studiot e mediave të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare s’ka fuqinë e opozitës së Hungarisë. Ka një ndryshim thelbësor midis opozitës në Hungari dhe opozitës në Shqipëri që nuk e përmend fare mafia e zezë e fjalës së lirë, e cila trillon, manipulon, mashtron opinionin publik për të mbrojtur padronin e tyre, regjimin që i ushqen. Në Hungari nuk u arrestuan ndonjëherë liderët e opozitës në votën zgjedhore, siç ndodhi në Shqipëri. Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore zyrtare me urdhër politik. Në Hungari qeveria nuk shpërndau 100 euro për çdo pensionist për të blerë votën në fushatën elektorale. Në zgjedhjet në Hungari, qeveria nuk fali gjoba dhe kamatat e 10 viteve prej 2 miliardë eurove dy ditë para zgjedhjeve, siç bëri narkodiktatori i Tiranës në zgjedhjet e fundit. Në Hungari mediat ishin në krah të opozitës dhe TikToku nuk u bllokua. Atje nuk u bllokua TikTok-u”,- tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Protesta/ Militantët e Berishës molotovë drejt Kryeministrisë, policia i shpërndan me shpejtësi! Strategjia e drejtorit të ri, Hita s’lejon përshkallëzimin, 20 të shoqëruar











