Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka përgëzuar efektivët e Policisë për reagimin gjatë protestës së sotme, të cilët i paraprinë hedhjes së molotovëve nga militantët e Sali Berishës, duke arritur të kapnin një sasi të madhe molotovi të pashpërthyer.
Në reagim, Lamallari ka shkruar se molotovarët janë përdorur si mish për top për llogari të Berishës, me qëllim djegien e qytetit, ‘nxirjen’ e vendit në sytë e botës dhe rrezikimin e jetës së policëve.
Lamallari ka shkruar gjithashtu se Shqipëria nuk do të merret peng nga një pakicë që sipas tij nuk ngurron të përdorë të miturit për të djegur dhe për të fshehur dështimin e vet.
Reagim i ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari:
Përgëzime Policisë së Shtetit për reagimin profesional, vetëpërmbajtjen dhe neutralizimin e menjëhershëm të molotovarëve të përdorur si mish për top për të djegur qytetin, për të nxirë vendin dhe për të rrezikuar jetën e efektivëve me uniformë.
Shqipëria nuk do të merret peng nga një pakicë që nuk ngurron të përdorë të miturit për të djegur dhe për të fshehur dështimin e vet.
Mes atyre që ndërtojnë të ardhmen europiane të vendit dhe atyre që kërkojnë ta djegin atë, zgjedhja është tashmë e qartë nga mbarë shqiptarët.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet gjatë protestës së opozitës në Bulevard.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka dënuar atë që ai e cilëson si përdorim të papranueshëm të simbolit kombëtar, duke e lidhur me akte dhune gjatë protestës. “Përdorimi i flamurit kombëtar për të lajmëruar hedhjen e molotovëve është vula e turpit të një njeriu që e ka tradhtuar gjithmonë vendin e vet,” u shpreh ai.
Reagimi i tij vjen në një kohë tensioni politik, ndërsa protestat e opozitës kanë sjellë përplasje dhe akuza të ndërsjella mes palëve. Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës kanë kundërshtuar qëndrimet e mazhorancës, duke i cilësuar protestat si reagim qytetar ndaj qeverisë.
Komente











