I vetëdijshëm se PD nuk ka arritur të ripërtërihet, pavarësisht se zgjedhjet kanë përfunduar në çdo strukturë të saj, kreu i PD Sali Berisha thotë se procesi i ripërtëritjes duhet të vazhdojë.
“Dhe këtu nuk është fjala e ripërtëritjes vetëm të drejtuesve, por ripërtëritja është një koncept shumë i gjerë. Në radhë të parë funksionimin e saj, modernizimin, dixhitalizimin e saj, vizionin e saj për t'u dhënë përgjigje më të sigurt, më të shpejtë të gjithë këtyre problematikave të mëdha, sepse Edi Rama është e shkuara, për këtë nuk ka më asnjë dyshim. Ndaj dhe ne duhet të punojmë fort për të fituar besimin masiv të shqiptarëve në betejën e ardhshme me të”, tha Berisha.
Më tej, ai pranoi se PD është vonë edhe me nxjerrjen e kandidatëve për kryetar bashkie, me zgjedhjet e 2027 në prag. Teksa u pyet nga qytetarët se kur do t’i ketë gati kandidatët, Berisha tha se “ne po punojmë në atë drejtim, por duhet të shpejtojmë.”
Nxjerrja e kandidatëve sipas tij, këtë herë duhet të bëhet po për mes primareve, por duke ndryshuar formulën e tyre e duke e bërë me selektim.
“Primareve tona iu mungon seleksioni. Në Europë primaret i ka aplikuar për herë të parë Partia Konservatore britanike. Por Partia Konservatore britanike, praktikat e të cilës ne i kemi studiuar, ka një komision seleksionimi shumë të fortë. Dhe te ne tani këtu, për momentin ka ide pa primare, ka ide për primare me seleksion, dhe unë jam më shumë me këtë të dytën.”, tha Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.
Lajmi kryesor:
Berisha: Në SHBA denoncuam aferat e Ramës! Nuk loboj për t’ia ndaluar vizën në Amerikë, por jam i motivuar ta largoj






