Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, ka reaguar për herë të parë që nga 20 gushti, pasi në hapjen e Festivalit Folklorik maqedonas në Pustec, nuk u ekzekutua himni kombëtar shqiptar, por vetëm ai maqedonas.

Nga Qafë Thana, ku ishte i pranishëm bashkë me kryeministrin Edi Rama, kur u pyet për këtë çështje, Mickoski i tha gazetarit se himni ishte luajtur, por sipas tij, ndoshta gazetari nuk e kishte ndjekur eventin deri në fund.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është një vend shumë-etnik, që i respekton të gjitha etniktë dhe kulturat.

“Thatë se e keni një mik të ngushtë Ramën, por në Pustec para pak kohësh nuk u respektua himni shqiptar. A është momenti për t’i kërkuar falje popullit shqiptar?”, e pyeti gazetari shqiptar kryeministrin maqedonas.

“Në Pustec dhe rrethinat e Pustecit jeton një pakicë maqedonase që janë qytetarë të Shqipërisë. Ata janë njerëz të qetë, nikoqir, e respektojnë shtetin ku kanë lindur, por dëshirojnë të kultivojnë edhe kulturën e tyre. Maqedonia është një shtet shumëetnik, shumëkulturor, një shtet që i respekton të gjitha etnitë. Sot po festojmë edhe një festë shumë të rëndësishme, siç është 22 nëntori. Në lidhje me himnin e Shqipërisë, siç duket nuk e keni ndjekur deri në fund eventin. Pas përfundimit të këtij eventi do ta tregoj videon ku tregohet sesi intonohet himni i Shqipërisë në atë eveniment. Por këtu jemi në një event tjetër, për të treguar sesa të mira janë marrëdhëniet mes 2 vendeve”, tha mes të tjerash Mickoski.


Lajmi kryesor:

Qafë Thanë/ Inagurohet sistemi i integruar i kontrollit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama: Synimi është shtrirja e tij në çdo pikë kufitare! Mickoski: Nxit turizmin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve (VIDEO)